Shmanget tragjedia në Kanalin Anglez, mbi 150 emigrantë shpëtohen pas zjarrit në varkë
Një përplasje e madhe po zhvillohet në majat e futbollit botëror, ndërsa një aleancë e përbërë nga disa prej konfederatave më të fuqishme po përgatit skenarë për t’i bërë presion presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Pas kundërshtimeve të forta ndaj ideve të tij për përfshirjen e kapitalit privat në strukturën e FIFA-s, UEFA, AFC dhe CONCACAF raportohet se po shqyrtojnë masa të forta, që mund të çojnë deri në një krizë të paprecedentë brenda organizatës qeverisëse të futbollit botëror.
Një nga skenarët më të diskutuar është një bojkot i aktiviteteve të FIFA-s, përfshirë refuzimin për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të FIFA-s. Por në tavolinë është edhe një ide shumë më radikale: krijimi i turneve paralele ndërkombëtare, jashtë strukturës aktuale të FIFA-s.
Sipas burimeve pranë kësaj lëvizjeje, kundërshtarët e Infantinos besojnë se ai nuk duhet të kërkojë një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe janë të gatshëm të përdorin të gjitha mjetet politike për ta larguar nga drejtimi i organizatës.
Një tjetër skenar që po qarkullon është paraqitja e një mocioni mosbesimi ndaj Infantinos.
Për ta nisur këtë proces nevojitet mbështetja e një të pestës së federatave anëtare të FIFA-s, ndërsa për miratimin e tij do të duheshin 106 vota nga 211 federatat që përbëjnë organizatën.
Sipas raportimeve, UEFA, AFC dhe CONCACAF së bashku kanë 143 vota, duke e bërë këtë një kërcënim serioz për presidentin aktual të FIFA-s.
Nëse do të rrëzohej përmes një votimi të tillë, Infantino do të bëhej presidenti i parë në historinë e FIFA-s që largohet nga posti në këtë mënyrë.
Kriza ka hapur gjithashtu diskutimet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s.
Një prej emrave që përmendet si kandidat potencial është Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s dhe një nga figurat më kritike ndaj Infantinos. Po ashtu janë përmendur edhe emrat e Arsène Wenger dhe Victor Montagliani si kandidatë të mundshëm.
Deri pak kohë më parë, një tjetër mandat për Infantinon dukej pothuajse i sigurt, por përplasja e fundit me konfederatat kryesore mund ta ketë ndryshuar plotësisht situatën.
Nëse konflikti përshkallëzohet, futbolli botëror mund të hyjë në një nga betejat më të mëdha për pushtet që ka parë ndonjëherë.
Top Channel