U shpall “non grata” për veprime në dëm të Shqipërisë, reagon Valon Bela: Dinjiteti i luftëtarit s’matet me të drejtën për të hyrë ose jo në një shtet
Kur David Beckham u shfaq në ekranet gjigante gjatë Kupës së Botës, stadiumet shpërthyen në duartrokitje.
Në vend të Princit të Uellsit, që tradicionalisht përfaqëson Federatën Angleze të Futbollit, ishte ish-futbollisti legjendar anglez ai që tërhoqi gjithë vëmendjen nga lozha VIP.
Djali i një familjeje të zakonshme nga Leytonstone, në lindje të Londrës, është sot një nga figurat më të fuqishme në sport dhe biznes.
Sipas Forbes, Beckham është miliarder, ndërsa sipas The Sunday Times Rich List, pasuria e tij së bashku me atë të bashkëshortes Victoria Beckham arrin në rreth 1.185 miliardë paund. Vetëm klubi i tij, Inter Miami, vlerësohet rreth 2.5 miliardë paund.
Gjatë Kupës së Botës 2026, Beckham dominoi ekranet televizive jo si futbollist, por si fytyra e markave më të mëdha në botë. Ai u shfaq në reklama për Home Depot, Ninja Kitchen, Stella Artois, Pepsi, Verizon, Bank of America, Lay’s, Walkers dhe McDonald’s.

Një komentues amerikan shkroi se gjatë pushimeve publicitare dukej sikur “fytyra e futbollit amerikan nuk ishte lojtari me fanellën numër 10 të kombëtares, por një anglez 51-vjeçar.”
Edhe pse viti 2026 u shoqërua me përplasjen publike me djalin e madh, Brooklyn Beckham, financiarisht ai pritet të jetë viti më fitimprurës i jetës së tij. Ekspertët vlerësojnë se Beckham do të arkëtojë mbi 100 milionë paund vetëm këtë vit, ndërsa ekipi i tij beson se në vitin e ardhshëm të ardhurat komerciale mund të arrijnë 125 milionë paund.
Një rol kyç në transformimin e Beckham nga futbollist në ikonë globale pati Simon Fuller, ish-menaxheri i Spice Girls.
Fuller ishte ai që kuptoi se çifti David dhe Victoria Beckham mund të bëhej një markë shumë më e madhe sesa sporti apo muzika.
Në fillim të viteve 2000 Beckham fitonte rreth 5 milionë paund në vit nga reklamat, por Fuller besonte se ai duhej të fitonte të paktën dyfishin. Brenda pak kohësh ai siguroi një kontratë prej 40 milionë paundësh me Gillette, ndërsa më pas nisën marrëveshje të reja me Adidas, Pepsi, Marks & Spencer dhe shumë kompani të tjera.
Nga ana tjetër, transferimi te Real Madrid nuk ishte vetëm sportiv. Duke jetuar në Spanjë, Beckham përfitoi nga i ashtuquajturi “Ligji Beckham”, që ulte tatimin mbi të ardhurat për të huajt nga 47% në vetëm 24%.
Për më tepër, ai kishte statusin “non-dom”, çka i mundësonte të mos paguante taksa në Britani për fitimet e realizuara jashtë vendit.
Në vitin 2007, Beckham pranoi një ulje të ndjeshme page për t’u transferuar te LA Galaxy në MLS.
Në pamje të parë vendimi dukej i çuditshëm. Ai kaloi nga futbolli elitar europian në një kampionat shumë më pak prestigjioz.

Por kontrata përfshinte një klauzolë që do të ndryshonte jetën e tij: të drejtën për të blerë një klub të ri në MLS për vetëm 25 milionë dollarë. Kjo ishte baza mbi të cilën lindi vite më vonë Inter Miami.
Adaptimi nuk ishte aspak i lehtë. Shokët e skuadrës fitonin shumë më pak se Beckham dhe marrëdhëniet nuk ishin gjithmonë të mira. Ai u përball edhe me kritika të tifozëve, ndërsa u rikthye dy herë në huazim te Milani për të ruajtur shanset me kombëtaren angleze.
Megjithatë, jeta familjare në Los Angeles rezultoi shumë më e qetë. Beckham-ët jetonin në një vilë luksoze në Beverly Hills, larg presionit të paparacëve që kishin përjetuar në Evropë.
Në vitin 2008 reklama e tij me të brendshme për Armani shkaktoi një bum të jashtëzakonshëm. Shitjet u rritën me 94%, ndërsa Victoria Beckham bënte shaka duke thënë se i pëlqente ta shihte bashkëshortin në një billboard gjigant.
Ekspertët e marketingut vlerësuan se Beckham nuk ishte më thjesht fytyrë reklamash, por u shndërrua në aksioner dhe partner biznesi në shumë projekte.
Por jo çdo marrëveshje u prit mirë nga publiku. Beckham u kritikua ashpër kur pranoi të bëhej ambasador i FIFA-s për Kupën e Botës në Katar, në një kontratë që thuhet se i siguronte rreth 15 milionë paund në vit, pavarësisht kritikave ndaj vendit për të drejtat e njeriut. Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga bashkëpunimi.

Pas shumë vitesh bashkëpunim, Beckham vendosi të merrte vetë kontrollin e markës së tij. Për t’i blerë Fuller pjesën e aksioneve iu desh të paguante rreth 38 milionë paund, por kjo i dha kontroll të plotë mbi bizneset e tij.
Më pas ai shiti 55% të kompanisë së tij David Beckham Ventures te gjiganti Authentic Brands Group për afro 269 milionë dollarë në para dhe aksione.
Paratë e siguruara nga marrëveshjet e biznesit u investuan te Inter Miami. Goditja më e madhe ishte bindja e Lionel Messit për t’u transferuar në MLS në vitin 2023.

Beckham kishte nisur bisedimet me babanë e Messit që në vitin 2019, shumë kohë përpara se transferimi të bëhej realitet.
Me ardhjen e argjentinasit, Inter Miami fitoi Leagues Cup në 2023, Supporters’ Shield në 2024 dhe titullin e parë të MLS në vitin 2025.
Presidenti i operacioneve të klubit deklaroi se, pa përfshirë të drejtat televizive, Inter Miami renditet tashmë mes klubeve me të ardhurat më të larta në botë.
Historia e David Beckham nuk është vetëm ajo e një futbollisti të madh. Është historia e një njeriu që e kuptoi se fama mund të shndërrohej në biznes dhe që, me ndihmën e strategëve të marketingut dhe vendimeve të guximshme, ndërtoi një perandori financiare.
Nga djali i një montuesi gazi në Londër, Beckham është sot miliarderi i parë sportist britanik dhe një nga markat personale më të fuqishme në botë.
Top Channel