Botërori 2026 afron ora e së vërtetës, cilat do të jenë skuadrat gjysmëfinaliste dhe si do të shkojnë çerekfinalet?

08/07/2026 21:39

Tani të gjithë besojnë. Deri pak kohë më parë finalja duket se ishte e shkruar, Francë- Argjentinë, me ‘bezdisjen’ e mundshme të Spanjës në gjysmëfinale kundër Bluve.

Por Botërori ka ndryshuar, të mëdhatë kanë pasur ndonjë problem dhe janë shfaqur surpriza që mund të përmbysin parashikimet. Por le të shohim ndeshjet çerekfinale…sigurisht duke menduar se asnjë rezultat nuk është i sigurt.

FRANCË-MAROK—  Nuk ishte e lehtë të imagjinohej një Francë-Marok kaq i ekuilibruar, por Botërori po përditëson historinë e tij në çdo raund dhe kampionët e Afrikës nuk janë më një outsider. Janë një prej kombëtareve më të forta të botës me shumë kualitete sidomosj në mesin e fushës, me një lojë dhe mentalitet evropian. Franca duket në mënyrë absolute skuadra më e fortë e Botërorit, ka një potencial sulmues shkatërrues dhe Mbappe është i vetmi që mund të krahasohet me Messin. Por Paraguaji, përtej mënyrës së ashpër, tregoi se ndaj mbrojtjeve të mbyllura edhe 4 Fantastikët e Deschamps mund të vuajnë. Zgjedhja i takon trajnerit Ouahbi; të sulmojë si ndaj Holandës mund të krijojë hapësira vrasëse për francezët që mund të përfitojnë nga ndonjë çekuilibër, ndërsa po të mbrojë si në pjesën e parë ndaj Kanadasë, do të rrezikonte të merrte një goditje kampioni nga Mbappe me shokë, por do të çlironte kundërsulmet kolektive. Por Saibari është një humbje e madhe; askush në sulm nuk di të japë thellësinë e tij në sulm, është i vështirë për t’u zëvendësuar. Deschamps duhet të zgjedhë sulmuesin e majtë, Barcola duket në avantazh ndaj Doue dhe duhet të zgjidhë dilemën Kone- Tchouameni; romanisti është më aktiv dhe ofensiv. Do të jetë një manifest i strategjisë së tij. Franca më e mirë mund të mposhtë të gjithë, jo vetëm Marokun, por Botërori i gjatë dhe i luajtur me një shpejtësi të madhe, falë rregullave të reja ka filluar të ketë efekt. Blutë vijnë pas 5 fitoreve radhazi(dhe 11 në 12 ndeshjet e fundit), Maroku ndoshta ka shpenzuar më shumë energji por ka një prej pankinave më të mira të turneut dhe një mesfushë të shkëlqyer me 3 lojtarë. Një duel kyç është mes Olise, në rolin e ri si nr.10 qendror dhe pak i tërhequr dhe Ounahi që e lidh lojën në vertikal dhe gjendet gjithandej. Një sfidë historike; nëse Maroku fiton do të ishte kandidat për suksesin dhe asnjë skuadër afrikane nuk ka arritur nivele të tilla.. Por nuk ka pasur kurrë një skuadër afrikane si Maroku, ‘evropiane’ për shkollën e shumë futbollistëve dhe organizimin taktik.

SPAGNË-BELGJIKË—  Duket si çerekfinalja më e çbilancuar. Spanja rritet ndeshje pas ndeshje, barazimi me Kepin e Gjelbër shqetësoi pak, por më pas u pa që La Roja pagoi efektin surprizë; askush nuk e priste që kombëtarja afrikane të ishte kaq solide dhe kompakte dhe të vendoste në vështirësi të gjithë. Që nga ai moment 4 fitore dhe asnjë gol i pësuar. Por Belgjika ka forcën e të mbijetuarve. Rrezikoi në debutimin me Egjiptin, zhgënjeu me Iranin, ishte praktikisht e eliminuar nga Senegali po të mos ishte për përmbysjen finale të Lukakut dhe Tielemans. Diçka ndryshoi duke parë se me sa lehtësi eliminoi SHBA në një sfidë ku u përjetua dhe historia e shëmtuar me Balogun. Dhe kush mbijeton, më pas ndihet i pathyeshëm. Por pyetja e vërtetë është: a do të shohim Lamine Yamalin e vërtetë? Dhe si pasojë; nëse Spanja është e pakalueshme kështu, kur do të jetë ylli i saj? Spanja është më pak shkatërrimtare se Franca, por më e ekuilibruar, mbrohet lart, por Portugalia tregoi  se rrugët për t’iu afruar Unai Simon ekzistojnë. Pragmatiku De la Fuente e rregulloi me Olmon(në vend të Fabian Ruiz) dhe Baena, Rodri përmirësohet, vetëm Hakimi ka të njëjtin impakt ofensiv si Cucurella nga mbrojtësit e krahut. Luan me një lloj 4-2-4 sepse Olmo është gjithnjë thuajse në linjë me Oyarzabal dhe sulmuesit e krahut Yamal dhe Baena janë gjithnjë e më lart se qendërsulmuesit. Belgjika është thuajse pa identitet; Rudi Garcia e ndërtoi në çdo ndeshje, në fillim e 9 fals(De Ketelaere), më pas me Nr.9 tipik(Lukaku) dhe në fund sërish me De Ketelaere, ridizenjoi mesfushën dhe të pazëvendësueshmit janë vetëm dy; Tielemans dhe Trossard, përveç Courtois. Gjuan shumë në drejtim të portës, është pak e brishtë në mbrojtje, por ende nuk ka humbut dhe Garcia ka gjetur lëvizjet korrigjuese. Përkundrazi, në 19 ndeshje si trajner i kombëtares belge ka humbur vetëm sfidën e parë ndaj Ukrainës, por nuk është përballur asnjëherë me një skuadër të fortë si Spanja.

NORVEGJI-ANGLI—  Vetëm ata që nuk e kanë parë Norvegjinë para Botërorit mund të kishin ndonjë dyshum nëse kjo skuadër do të rivalizonte deri në fund. Tani është e qartë, kjo është Norvegjia më e fortë në histori. Ka kaluar atë të Olsen në vitet ’90 për rezultatin dhe entuziazmin popullor, ka një entuziazëm unik dhe një futbollist me të cilin mund të arrijë gjithçka, Erling Haaland.Por mos mendoni se është vetëm Haaland ka dhe shumë gjëra të tjera. I takon Anglisë t’i japë(apo t’i mohojë) pasaportën e të mëdhenjve skandinavëve. Tuchel ka krijuar një skuadër që bashkon agresivitetin dhe shpirtin ofensiv të futbollit britanik me koncepte më evropiane. I ka rikthyer Jude Bellingham shkëlqimin e dikurshëm. Duket se ka zgjidhur problemin e krahëve. Nëse Rice do të kishte përkrah një Odegaard si te Arsenali, Anglia do të ishte shumë e fortë dhe në fakt ka Anderson për të cilin Manchester City ka paguar 135 milionë euro, por duke e parë këtu nuk vlen kaq. Odegaard e ka Norvegjia që pas ndeshjes me Brazilin ka lënë të kuptojë një gjë; nuk është thjesht një skuadër me shpirt kolektiv, por ka më shumë regjistra taktikë dhe filozofi Solbaken ka mësuar të menaxhojë kohët. Agresion dhe menaxhim, vertikalizim dhe zotërim topi. Por Anglia nuk është Brazili, do të ushtrojë presing dhe nëse do t’ia dalë t’i rrëmbejë topin Norvegjisë, do të ketë telashe sepse skandinavët në prapavijë janë më pak entuziazmantë. Brazili i fali, Kane nuk do ta bëjë. Dhe ja ku jemi; Kane-Haaland, përballja mes dy qendërsulmuesve më të fortë në botë, më të papërmbajtshmit përpara portave. Anglia ka më shumë eksperiencë dhe shumë karakter që e i dha mundësinë të fitojë ndaj RD së Kongos dhe Meksikës, por ka një histori që e përndjek që nga 1966. Norvegjia ka më shumë entuzizazëm dhe më pak për të humbur; Botërorin e saj e ka fituar tadhme. Mund të jëtë ndeshja më e bukur

ARGJENTINË-ZVICËR— Rrugëtimi i Argjentinës drejt finales supozohej të ishte shumë e lehtë, por ndodhi krejtësisht e kundërta. Seleccion pati frikë se nuk do ia dilte ndaj Kepit të Gjelbër, ndërsa ndaj Egjiptit kaloi nga ferri në parajsë në një ndeshje të paharrueshme ndaj Egjiptit. Një konsideratë duhet thënë; Argjentina nuk ka limite, nuk dorëzohet, është e pashkatërrueshme dhe Messi është gjithnjë aty në ditët më të vështira. Pa të 0-2 nuk do të përmbysej kurrë. Përballë është Zvicra që e nisi keq, por me Manzambi u shndërrua në një tjetër skuadër duke rigjetur entuziazmin dhe soliditetin e jashtëzakonshëm të dikurshëm. Nuk është rastësi që arrin gjithnjë në 1/8 e finaleve apo çerekfinalet. Po sikur këtë radhë te jenë gjysmëfinalet? Problemi është pikërisht dëmtimi i Manzambi. Pa të, Zvicra arriti të fitojë ndaj Kolumbisë me penallti në një sfidë të ekuilibruar. Por Argjentina është ndryshe. Ndeshjet e para të Messit me shokë ndoshta duhen rilexuar duke vlerësuar kundërshtarët.  U entuziazmuam, por Algjeria, Jordania dhe Austria nuk ishin maksimumi. Pas rikthimit në realitet, Argjentina mbetet një monolit, por sjellja tepër mbrojtjëse nuk të shpërblen si më parë dhe tani pëson gol. Diçka duhet të ndryshojë. Scaloni ka sistemuar mesfushën ku luajnë 4 lojtarë në qendër si romb (Fernandez, Paredes, De Paul dhe McAllister i avancuar). Por ndeshjet janë zgjidhur duke u hedhur në sulm dhe me golat nga prapa të Romeros. Trajneri nuk do ta bëjë kurrë, por heqja dorë e një lojtari në mesin e fushës për një lojtar më ofensiv përkrah Lautaro Martinez dhe Messit mund të ndryshojë gjithçka. Zvicra mbetet një prej skuadrave më të vështira për t’u përballur. Nuk kuptohet se përse Yakin e nisi pa Manzambi, por që nga momenti që ai u aktivizua, ndryshoi gjithçka. Zvicra nuk ka asgjë për të humbur ndaj Argjentinës dhe do të vendosë një mesfushë shumë të fortë ku Granit XHaka është ende një pikë referimi e domosdoshme, ndërsa prapa Akanji po bën mirë. Argjentina është favorite sepse Messi mund të bëjë gjithçka, por në krahasim me Kepin e Gjelbër dhe Egjiptin, Zvicra është më e plotë dhe nëse Manzambi rekuperon….

Top Channel