Aksidenti tragjik në Durrës/ Fëmijët po luanin në trotuar, makina me shpejtësi të lartë i mori përpara, shoferi arratiset pas ngjarjes
Preç Zogaj
Qëkurse vendosi të rimerrte drejtimin de fakto të Partisë Demokratike në shtator të vitit 2021, pasi e kishte kontrolluar në rolin komod të kryetarit të kryetarit Basha për tetë vite në opozitë, Berisha ka qenë i vetëdijshëm se rikthimi i saj në pushtet nën drejtimin e tij do të ishte një termale prej Sizifi që nuk e çon kurrë gurin më majë.
Sepse ishte konsumuar dy herë në pushtet, duke e mbyllur ciklin. Herën e parë në postin e një Presidenti partiak të gjithëfuqishëm që e filloi me fanfara në vitin 1992 dhe e përfundoi pas pesë vitesh me zbarkimin e gjashtë mijë forcave ndërkomëtare paqeruajtëse në vend. Herën dytë në postin e kryeministrit nga viti 2005 deri në vitin 2013 prej nga u largua, duke lënë pas një bilanc arritjesh e veprash të mëdha sidomos në katërvjeçarin e parë, por edhe konsumim, degradim dhe korrupsion me përhapje të gjerë në mandatin e dytë, për ç’arsye edhe humbi thellë.
Sepse kishte gjylet e saksionimit të freskët amerikan nepër këmbë që nuk të lënë të fluturosh politikisht në një një vend të NATO-s edhe po t’i kesh të gjitha letrat e tjera në rregull.
Sanksionimi dhe masa e ngrirjes taktike nga Basha e vunë Berishën para udhëkryqit më të madh të jetës së tij si politikan dhe njeri publik: të mbështeste me gjithë potencialet fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme si një mundësi më reale se çdo gjë tjetër për të hequr sanksionimet në mos jo plotësisht, për pjesëtarët e tij të familjes? Apo të zbriste në fushë për të marrë e përdorur PD-në hëm për t’u mbrojtur, hëm për t’u faktorizuar në sytë e partnerëve si aktor politik i pashmangshëm për stabilitetin në vendin e vogël aleat. Instikti i vetëmbrojtjes, që zakonisht sheh afër, shoqëruar me lëndimin njerëzor në sedër, e shtynë të zgjidhte rimarrjen e partisë, duke e përçarë me vetëdije atë, siç do ta pohonte vetë pasi ta merrte.
E plazmoi këtë ravgim në premtimin e Rithemelimit të PD-së si një parti të hapur, që pranon diversitetin, madje fraksionet, që bën primare nga anëtarësia për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, që normon dorëheqjen e kryetarit kur partia humb zgjedhjet, që promovon meritoktracinë dhe vlerat. Mbi të gjitha me premtimin e fitores, më joshësi dhe më motivuesi për ndjekësit e tij, të cilëve u farfurinin në kujtesë dy fitoret e pushtetit me Berishën kryetar dhe pse të mos kishte një të tretë.
Të gjitha këto kanë rezultuar parrulla në erë në sprovën e zbatimit dhe realizimit. Primaret u shndërruan në farsë, hapja nuk ndezi, bashkimi i kuptuar si asimilim i atyre që mendojnë ndryshe nuk shkrepi, në zgjedhjet e vitit 2025 PD u zvogëlua ndjeshëm në krahasim me atë që kishte qenë në zgjedhjet e vitit 2021 para Rithemelimit.
Por shfaqjen më spektakolare të shkelmimit të normave të brohoritura Berisha po e jep me rastin e zgjedhjeve të reja për funksionin e kryetarit të Partisë. Si të mos i mjaftojë se po rikandidon në shkelje flagrante të nenin të statutit që parashikon dorëheqjen pa kushte të kryetarit kur Partia humbet zgjedhjet, ai vendosi të mos ketë garë, të mos ketë kandidatë të tjerë. Krejt të kundërtën e asaj që pritet nga një parti që e ka jetike hapjen, gjithëpëfshirjen, garën, diversitetin, rinovimin, energjizmin që krijojnë debatet dhe ballafaqimet brenda kuadrit programor dhe etik të partisë.
Nuk ka dyshim se duke pohuar kaq hapur me akt se PD është një parti private e tij, Berisha ka zhgënjyer qindra mijëra demokratë të tjerë, brenda PD-së dhe jashtë saj, që kanë besuar se ai e ka patur seriozisht Rithemelimin e PD-së. Që në fakt ka ndodhur, por në kahun e mbylljes së saj si asnjëherë tjetër. Kjo është një qasje e vetëdijshme zvogëlimi, një hara-kiri që në pamje të parë nuk shpjegohet me politologji. Ka shumë që pyesin: dakord e mori Partinë për t’u mbrojtur kur nuk e kishte dhe s’ka si ta lëshojë tani që e ka, kur duhet sërish për t’u mbrojtur! Por kaq pak beson se ka një shumicë në parti sa të mos lejojë garë me lloj-lloj justifikimesh që lëshojnë ujë nga të gjitha anët ? Ndalimi arbitrar i garës në Parti është, veç të tjerash, vetçarmatosje nga mundësia për ta dominuar moralisht kundërshtarin politik që nuk bën zgjedhje të lira. Farsa me farsë nuk luftohet.
Zvogëlimi i vetëdijshëm i partisë kryesore të opozitës është dhurata më e pameritur dhe shërbimi i paçmuar për qeverinë. Një solidaritet në këto sfera nuk ka nevojë për takime. As të fshehta, as të hapura, as sy në sy, as me ndërmjetës. E negociojnë përmes “korrespodencës” së ajrit, interesat e ndërjellta të kastës plurale solidare që nuk bën më as teatrin e demokracisë.
Top Channel