Opinion/ Arianit Hoxha: Dy realitete në Maqedoninë e Veriut, presioni ndaj zërave shqiptarë dhe normalizimi i “Botës serbe”

21/05/2026 10:11

Nga Arianit Hoxha*

Deklarata e fundit e politikanit të njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arianit Hoxha, ka rikthyer në fokus një debat që prej muajsh po zhvillohet në heshtje në skenën politike dhe publike të vendit: raportin mes presionit ndaj faktorit shqiptar dhe tolerimit të narrativave që lidhen me konceptin e ashtuquajtur “Bota serbe” për të cilin paralajmëroi dhe Parlamenti Europian në raportin e fundit ku evidentoi se ky projekt nacionalist i dëmshëm është ulur këmbëkryq në Maqedoninë e Veriut

Në një reagim publik me tone të forta politike, Hoxha akuzoi koalicionin VLEN se po zhvillon “një agjendë të mirëorkestruar” kundër ambasadorit të Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ndërkohë që — sipas tij — po lejon depërtimin e influencave politike dhe ideologjike që cenojnë balancat ndëretnike dhe orientimin euro-atlantik të shtetit.

Deklarata e Hoxhës nuk vjen në vakuum politik. Ajo lidhet me një klimë të tensionuar muajt e fundit në Maqedoninë e Veriut, ku çështje si përdorimi i gjuhës shqipe, përfaqësimi institucional, debati mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar kanë prodhuar polarizim të shtuar në opinionin publik shqiptar.

Në reagimin e tij, Hoxha e vendos theksin tek ajo që e konsideron paradoks politik të momentit: sulmet ndaj një ambasadori shqiptar, ndërkohë që sipas tij po “normalizohet” një diskurs rajonal që në mënyrë të përsëritur është lidhur me projektin e “Botës serbe” dhe implementimin e tij në RMV.

“Luftojnë ambasadorin Meidani, ndërsa mirëpresin Aleksandar Vuçiçin”, shkruan Hoxha, duke ekspozuar një orientim të qartë të shumicës aktuale por dhe një raport të ri force brenda qeverisë VMRO-ZNAM-VLEN  dhe për një ndryshim të beftë në kah negativ të narrativës politike në vend.

Koncepti i “Botës serbe” nuk është i panjohur në rajon. Në vitet e fundit ai është interpretuar nga analistë dhe aktorë politikë si një projekt i ndikimit politik, kulturor dhe strategjik serb në Ballkanin Perëndimor, shpesh i krahasuar dhe i lidhur me modele të ngjashme të sferave të influencës në rajone të tjera të Europës Lindore. Për kritikët e këtij koncepti, shqetësimi kryesor lidhet me dobësimin e karakterit multietnik të shteteve të rajonit dhe relativizimin e marrëveshjeve që garantuan stabilitet pas konflikteve të viteve 2000.

Në këtë kontekst, përmendja nga Hoxha e zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç nuk është rastësore. Stoilkoviç prej kohësh perceptohet si një nga figurat më afër narrativave pro-serbe në politikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa deklaratat e tij inflamatore publike kanë shkaktuar reagime të vazhdueshme në kampin politik shqiptar.

Nga ana tjetër, debati rreth ambasadorit Meidani ka marrë përmasa të pazakonta diplomatike dhe mediatike. Mbështetësit e tij argumentojnë se deklaratat dhe aktiviteti publik i ambasadorit kanë qenë në funksion të mbrojtjes së standardeve europiane, të drejtave të komuniteteve dhe marrëdhënieve të mira ndëretnike. Kritikët e VMRO-VLEN, ndërkohë, e kanë akuzuar për tejkalim të rolit diplomatik.

Megjithatë, për shumë analistë shqiptarë në Shkup, thelbi i debatit nuk është një individ i vetëm, por drejtimi politik që po merr shteti. Pikërisht këtë përpiqet të artikulojë edhe Hoxha në mesazhin e tij: frikën se debati publik po zhvendoset nga integrimi europian dhe standardet demokratike drejt një klime të re konfrontimi identitar dhe rivalitetesh gjeopolitike.

Në fund të reagimit të tij, Hoxha përdor shprehjen popullore “fshati që shihet s’do kallauz”, për të nënvizuar se — sipas tij — zhvillimet aktuale janë tashmë të dukshme dhe nuk kanë më nevojë për interpretime të komplikuara politike.

Mesazhi i tij, në thelb, është një paralajmërim politik: se çdo dobësim i balancave të ndërtuara pas Marrëveshjes së Ohrit dhe çdo tolerim ndaj narrativave që cenojnë karakterin multietnik të shtetit mund të prodhojnë pasoja afatgjata për stabilitetin, kohezionin dhe perspektivën europiane të Maqedonisë së Veriut.

*Arianit Hoxha është politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ish-ministër i Bujqësisë, themelues dhe kryetar i Partisë Demokratike Europiane (PDE) dhe aktualisht një nga figurat kryesore në kampin shqiptar

Top Channel