Mbështetësit e listës zgjedhore “Studentët Fitojnë” u mblodhën këtë të enjte në Beograd për tubimin përmbyllës të fushatës, përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës.
Turmat u drejtuan nga të gjitha anët drejt sheshit qendror Slavija, duke mbushur edhe disa rrugë përreth. Protestuesit valëvitën flamuj dhe brohoritën “Fitore”.
Tubimi shënon kulmin e një lëvizjeje studentore që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm në Serbi, por edhe në rajon dhe Evropë.
Në intervista për Reuters, studentë dhe arsimtarë kanë treguar mënyrën se si lëvizja arriti të ruante vrullin e protestave dhe të shtrihej në të gjithë vendin.
Sipas tyre, strategjia është mbështetur te një fushatë e organizuar derë më derë, marshimet paqësore, kontrolli i kujdesshëm i mesazhit publik dhe rotacioni i vazhdueshëm i drejtuesve. Ky i fundit, sipas tyre, ka synuar të shmangë përqendrimin e lëvizjes te figura të caktuara dhe t’i mbrojë individët nga fushatat denigruese të qeverisë.
Në një kohë kur protesta të nxitura nga kostoja e lartë e jetesës, mungesa e vendeve të punës dhe problemet në arsim janë zhvilluar në disa vende të Evropës, studentët serbë thonë se lëvizja e tyre ka treguar fuqinë e brezit të ri për të organizuar dhe shprehur hapur pakënaqësinë
Top Channel