Themeli nuk mund të protestojë kundër ndërtesës

21/10/2026 14:55

Nga Flogert Muça

Dje dhe sot në protestë dolën edhe pedagogët. Jo të gjithë janë njësoj, dhe ata pak që kanë ruajtur ndershmërinë e dinë mirë se çfarë kanë kaluar. Por pjesa dërmuese e trupës akademike nuk ka qenë dëshmitare e këtij sistemi, por ka qenë pjesë e tij. Ose më saktë, ka qenë themeli i tij.

Universiteti shqiptar ka pasur diçka që shumë institucione të tjera nuk e kanë pasur: autonominë. Ligji ua dha të drejtën të zgjidhnin drejtuesit e tyre, të vendosnin për stafet, të ndërtonin standardet e veta. Pikërisht këtu qëndron përgjegjësia. Me gjithë këtë liri, ajo që u ndërtua nuk ishte një vatër dijeje, por një gërmadhë. Një godinë e ngritur mbi nepotizëm, partizim dhe kleptomani, ku konkurset fitohen para se të shpallen, katedrat trashëgohen si prona familjare, titujt akademikë shiten pa vepër pas tyre dhe zgjedhjet e rektorëve ndiqen nga selitë e partive më me vëmendje se nga vetë auditorët.

Universitetet u bënë rezervuar votash, vend punësimi për militantë, shpërblim për besnikëri. Ndaj, kur këta njerëz dolën dje dhe sot “në mbështetje të studentëve”, duhet thënë qartë: ata nuk dolën nga ndërgjegjja, por nga frika. Zjarri që arriti te ministritë mund të arrijë edhe te dekanatet, dhe është më e sigurt të jesh në turmë sesa në shënjestër të saj. Më e lehtë të fotografohesh në anën e duhur të historisë sesa të japësh llogari për anën ku ke qëndruar për vite me radhë.

Studentët nuk po protestojnë vetëm kundër një qeverie, por po protestojnë kundër një rendi që i ka mësuar se merita nuk vlen, se heshtja shpërblehet dhe se lidhjet janë më të forta se dija. Dhe ky mësim nuk u dha në zyrat e kryeministrisë por në auditore, nga katedra, nga ata që sot qëndrojnë në rresht të parë të protestës.

Kjo shoqëri, kjo rini dhe kjo klasë politike kanë dështuar bashkë. Por në këtë dështim, universiteti nuk është viktimë, por një nga arkitektët kryesorë.

Mbështetja e vërtetë nuk matet me praninë në shesh, por me gatishmërinë për të hapur dosjet e konkurseve, për të publikuar si u zgjodhën stafet, për të pranuar përgjegjësinë personale. Pa këtë, revolucioni i studentëve do të ndalet te dera e universitetit, dhe gjithçka do të mbetet një ndërrim rojesh.

Sepse themeli nuk mund të protestojë kundër ndërtesës që vetë ka mbajtur mbi supe.

Top Channel