Fiks Fare/ Firma dhe pronari i lidhur me Ballukun në SPAK, Ujësjellësi i Korçës i jep tender 5 milionë euro
Nga vëzhgimi i Fiks Fare rezulton se personat e huaj punojnë te Wolt, një kompani që shpërndan ushqime në Tiranë. S’janë studentë!
Fiksi bisedoi edhe me administratorin e kampusit të konvikteve në Kamëz, Edmond Muhametaj, që tregon se marrëveshjet janë bërë nga drejtoria në Qytetin Studenti.
Z.Muhametaj tha se do ta kallëzojë penalisht administratorin e kompanisë Fenix që sjell punëtorët e Woltit dhe drejtorin e tij për regjistrime fiktive.
Shteti shqiptar shpenzoi rreth 30 milionë euro për të ndërtuar 8 godina moderne pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Disa vite pas ndërtimit, në ato godina gjen me pikatore studentë shqiptarë, pasi janë “pushtuar” nga studentë dhe punëtorë të huaj. Rezidenca Studentore Nr.1, ose siç njihet ndryshe Qyteti Studenti, ka lidhur kontratë me universitete private dhe një firmë private për t’i dhënë me “koncesion” godinat.
Marrëveshjet janë firmosur nga drejtori Olsi Shahini, i cili përveç studentëve, i ka dhënë një firme private të drejtën për t’a përdorur, jo për studentë, por për punëtorë. Nuk është bërë asnjë ankand apo tender, vetëm me marrëveshje! Për më tepër, firma dhe administratori që ka marrë godinën në përdorim bën pazare, duke ndryshuar tarifa.
Gjithashtu flet edhe për regjistrime fiktive të punëtorëve në konvikt, çka hedh dyshime të mëdha për trafikimin e tyre. Në një rast, emisioni investigativ Fiks Fare ka faktuar se një student indian është regjistruar në fund të muajit gusht, i është dhënë vërtetim dhe ka marrë bazën, por s’është paraqitur ende në konvikt. Ku ka shkuar?!

30 milionë euro për punëtorët dhe studentët e huaj!
Fiksi shkon në kampusin e konvikteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke bërë një vëzhgim për kushtet dhe studentët. Ndryshe nga godinat në Qytetin Studenti, gjendja është shumë e mirë. Pas tërmetit të vitit 2019, shteti shqiptar shpenzoi plot 30 milionë euro. Janë bërë 8 godina.
Aktualisht, vetëm 2 godina janë me studentë shqiptar, të tjerat janë me të huaj, studentë te huaj. Fiksi ka mësuar se drejtori i Rezidencës Studentore nr.1, Olsi Shahini, ka bërë disa marrëveshje me universitete private. Këto universitete kanë akomoduar në këto konvikte studentë të huaj, kryesisht indianë që studiojnë në Shqipëri. Tarifa e qëndrimit është 5.5 mijë lekë.
Ndërkohë, krahas këtyre marrëveshjeve, Olsi Shahini, ka bërë edhe kontratë me një firmë private. Pa asnjë tender apo ankand. Ai i ka dhënë godinën numër 2 një firme të quajtur “Feniks”, për të akomoduar punëtorë. Janë rreth 210 punëtorë që qëndrojnë në atë godinë. “Feniksi” i paguan Rezidencës Nr.1 një tarifë prej 7.5 mijë lekë (75 mijë të vjetra) për person.

Studenti indian merr vërtetim që “u akomodua”, nuk ka ardhur në Shqipëri!
Krahas “pushtimit” të studentëve të huaj të këtij kampusi, Fiks Fare ka siguruar dokumente dhe biseda që hedhin hije të forta dyshimi për trafik të qenieve njerëzore. Në fund të muajit gusht 2026, në një nga godinat e konvikteve, u regjistrua një student nga India, Albert Shiju. Drejtoria e Qytetit Studenti lëshoi një vërtetim për regjistrim, të firmosur nga drejtori Olsi Shahini. U bënë letrat për bazën materiale.
Por, studenti ende s’ka ardhur në Shqipëri? Ku shkoi, a mos ka bërë letra fiktive? Fiksi pyet Edmond Muhametajn, i cili tregon se regjistrimi dhe vërtetimi lëshohen nga drejtoria në Qytetin Studenti. Ai tregon se fillimisht regjistrohesh dhe më pas merr vizën. Por, në dokument shkruhet “u akomodua” pa qenë!
Drejtori thërret administratoren e godinës nr.7, Aida Vlashi, e cila thotë se “urdhri më ka ardhur nga lart”. Pra, nga drejtoria në Qytetin Studenti. Na tregon se pagesa për Albert Shijun është bërë në shtator 2026, ndërkohë që u akomodua dhe iu lëshua vërtetim që në gusht. E pyesim nëse ka ardhur sot, në datë 21 tetor 2026, na thotë se “edhe sot s’është në godinë”.

Administratori i “Feniks” bën pazar dhe strehon klandestinë
Skandali thellohet më tej për shkak të pazareve të firmës “Feniks” që ka marrë në administrim godinën numër 2 dhe fut punëtorë. Një bashkëpunëtore e Fiks Fare shkon dhe e takon Florjan Shehun, i cili prezantohet si administrator i “Feniks”, duke i kërkuar që të akomodojë në atë godinë punëtorë të huaj. Ai pranon dhe thotë se për 1 vend akomodimi duhet të paguash 150 euro. Ndërkohë që Feniks i paguan shtetit vetëm 7.5 mijë lekë!
Fiksi bën pazar dhe ai e ul, fillimisht 140 euro dhe më pas 130 nëse do të sjellim mbi 100. S’mund t’i marrë shteti këto para?! Florjani nuk mjaftohet me akomodimin e punëtorëve. Ai pranon se mund të regjistrojë edhe punëtorë pa ardhur fizikisht në ato godina (klandestinë).
Por, për këto raste, Fiksi duhet të paguajë më shumë. Biseda fokusohet te trafiku i qenieve njerëzore, ku personi pranon se mund t’a bëjë, madje edhe në mënyrë të hapur. Të gjitha këto, në një godinë shtetërore.
Top Channel