Opsionet e Teheranit për t’iu përgjigjur bllokadës detare të Ngushticës së Hormuzit, çfarë nënkuptojnë kërcënimet e Trump për anijet e vogla iraniane

13/04/2026 21:09

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump duket se po hyn në një fazë të re të përballjes me Iranin, duke zhvendosur strategjinë nga sulmet ajrore drejt presionit ekonomik.

Pas javësh bombardimesh që nuk arritën të thyenin rezistencën e Teheranit, Shtëpia e Bardhë ka aktivizuar një bllokadë detare, me synimin për të goditur eksportet dhe rrjetet tregtare të Iranit.

Bllokada u vendos në fuqi në orën 17:00, menjëherë pas dështimit të bisedimeve të zhvilluara në Pakistan, të cilat nuk sollën asnjë përparim. Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump paralajmëroi se çdo anije që i afrohet zonës së bllokadës do të shkatërrohet, duke theksuar se marina iraniane është “plotësisht e shkatërruar” dhe se SHBA-të do të veprojnë me forcë ndaj çdo kërcënimi.

Ky zhvillim konsiderohet si një hap i ri i rëndësishëm në konflikt, pasi SHBA-të synojnë të godasin jo vetëm kapacitetet ushtarake të Iranit, por edhe “sistemin nervor” ekonomik të vendit, përmes bllokimit të porteve dhe rrjedhës së tregtisë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo strategji mund të mos japë rezultatet e pritshme, duke qenë se Irani ka treguar në të kaluarën se është i gatshëm të përballojë kosto të larta për të ruajtur pozicionin e tij strategjik.

Në këtë situatë, Teherani ka disa opsione reagimi. Një prej tyre është shmangia e Ngushtica e Hormuzit përmes rrugëve alternative të eksportit, si kanalet drejt Irakut, Turqisë dhe Armenisë, apo përdorimi i terminaleve në Detin Kaspik. Një tjetër mundësi është zgjerimi i rrjeteve të kontrabandës së karburantit, ndërsa skenari më i rrezikshëm mbetet reagimi ushtarak, përfshirë sulmet ndaj njësive detare amerikane ose aktivizimin e aleatëve rajonalë si Huthit.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit vazhdon, por nën presion dhe pasiguri në rritje. Të paktën 30 anije janë përqendruar pranë porteve iraniane si Bandar Abbas dhe Bushehr, ndërsa lëvizjet e cisternave dhe anijeve tregtare tregojnë një klimë të lartë nervozizmi.

Paralajmërimet e Trump për të goditur edhe anijet e vogla iraniane tregojnë një ndryshim të mundshëm në taktikat ushtarake amerikane, duke synuar edhe kërcënimet asimetrike. Megjithatë, analistët theksojnë se Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga nyjet më të rëndësishme të ekonomisë globale dhe çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e energjisë, transportin dhe zinxhirët e furnizimit në mbarë botën.

Në këtë kontekst, mbetet e paqartë nëse strategjia e re e SHBA-ve do të arrijë të detyrojë Iranin të bëjë lëshime, apo nëse konflikti do të shndërrohet në një provë të gjatë qëndrueshmërie mes dy palëve.

Top Channel