“Shqipëria forcon pozitat në NATO”/ Ministri i Mbrojtjes takim me Mark Rutte, në fokus siguria dhe mbrojtja

14/04/2026 22:41

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë sfidat aktuale të sigurisë dhe roli në rritje i Shqipërisë në kuadër të Aleancës.

Ministri shkruan se gjatë takimit u vlerësua kontributi i Shqipërisë në mbrojtjen kolektive, duke e cilësuar vendin si një faktor stabiliteti dhe pikë referimi për sigurinë në rajon.

“Bisedë e drejtpërdrejtë dhe shumë produktive me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, e fokusuar në sfidat aktuale të sigurisë dhe rolin gjithnjë në rritje të Shqipërisë në kuadër të Aleancës.

Shqipëria kontribuon me vendosmëri në mbrojtjen kolektive dhe afirmohet si faktor stabiliteti dhe pikë referimi për sigurinë në rajon, duke qëndruar krah për krah me Aleatët, nga misionet paqeruajtëse deri te operacionet më të rëndësishme ndërkombëtare, në shërbim të paqes dhe vlerave euro-atlantike.

Në këtë frymë, mbështetja e vazhdueshme e Aleatëve mbetet kyçe për forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.”-shkruan ministri Nufi.

Top Channel