“Njerëz të pashpirt, këtij i thonë shtet?”, Berisha akuzon për zjarrin në pallat, prefekti Hajdari i përgjigjet: Me ngjarje të rënda nuk bëhet politikë e ulët

15/04/2026 00:21

Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari inspektoi mbrëmjen e sotme pallatin e djegur nga zjarri pranë Farmacisë 10, duke parë nga afër dëmet e shkaktuara.

Gjatë një prononcimi për mediat, ai tha se ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe Emergjencat Civile për të qëndruar në gatishmëri për të ndihmuar banorët e pallatit, shtëpitë e të cilëve u përfshinë nga flakët.

Lidhur me prononcimin e Prefektit në vendngjarje, kryetari i PD-së, Sali Berisha shkëputi një pjesë të prononcimit të Hajdarit, kur i përgjigjej pyetjes se ku do t’a kalojnë natën.

“Kjo është një gjë që nuk më ka dhënë shumë preokuptim, që të jem i sinqertë me ju. Kam urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe Emergjencat Civile që ata (banorët) të kenë mundësi të jenë në ambiente të tjera. Por sigurisht, jam i bindur që nuk këtë nevojë sepse ne jemi shqiptarë. Kanë kushërinj, halla, daja, por ne jemi gati”, iu përgjigj Hajdari interesimit të mediave.

Sipas Berishës “Prefekti shikon, por nuk mund të preokupohet. Rrofshin hallat, tezet e dajot. Njerëz të pashpirt! Këtij i thonë shtet”.

Lidhur me statusin e kreut të opozitës, më mbrëmje vonë reagoi vetë Prefekti Hajdari, i cili shkruan “Me ngjarjet e rënda, si kjo e sotmja nuk duhet bërë politike e ulet, duke nxjerr nga konteksti prononcimin tim”.

Pyetja e gazetares

-Ku do të qëndrojnë mbrëmjen e sotme banorët, pasi nuk mund të rikthehen në apartamentet e tyre?
-Kjo është një gjë që nuk më ka dhënë shumë preokuptim, që të jem i sinqertë me ju. Kam urdhëruar Bashkinë e Tiranës dhe Emergjencat Civile që ata (banorët) të kenë mundësi të jenë në ambiente të tjera. Por sigurisht, jam i bindur që nuk këtë nevojë sepse ne jemi shqiptarë. Kanë kushërinj, halla, daja, por ne jemi gati.

Top Channel