“Paraqituni si homoseksualë për të marrë azil”, hetimi i BBC-së: Ja si këshilltarët ligjorë po i ndihmojnë migrantët për tu strehuar

15/04/2026 08:22

Një hetim i fshehtë i BBC-së ka zbuluar se disa këshilltarë ligjorë po ndihmojnë migrantët të pretendojnë se janë homoseksualë për të marrë azil në Mbretërinë e Bashkuar, duke marrë mijëra paund për shërbimet e tyre.

Hetimi tregon përdorimin e historive të rreme, provave të sajuara dhe udhëzimeve për të mashtruar sistemin ligjor.

Gazetarët e BBC-së, duke u paraqitur si studentë nga Pakistani dhe Bangladeshi me viza të skaduara, zbuluan se disa firma ligjore dhe këshilltarë ishin të gatshëm të ndihmonin në paraqitjen e kërkesave të rreme për azil, duke sugjeruar krijimin e provave përmes fotografive, raporteve mjekësore dhe letrave mbështetëse. Tarifat për këto shërbime varionin nga 1,500 deri në 7,000 paund.

Hetimi nxjerr në pah se këto praktika po përdoren kryesisht nga migrantë që vizat e të cilëve për studentë, punë ose turistike kanë skaduar, dhe jo nga ata që sapo kanë mbërritur në vend. Ky grup përbën rreth 35% të të gjitha kërkesave për azil, të cilat në vitin 2025 arritën në 100,000.

Komuniteti LGBT i Worcesterit dhe disa individë të lidhur me firmat ligjore ishin të përfshirë në këto praktika, duke ofruar takime dhe “paketa gjithëpërfshirëse” për të ndihmuar pretendimet e rreme.

Gazetarët zbuluan se këshilltarët ligjorë udhëzonin klientët të vizitonin klubet LGBT, të bënin fotografi dhe të mblidhnin letra mbështetëse të sajuara për aplikimet e tyre.

Ekspertët e imigracionit paralajmërojnë se këto mashtrime jo vetëm që janë të paligjshme, por gjithashtu rrezikojnë të dëmtojnë azilkërkuesit dhe refugjatët e vërtetë.

Avokatja Ana Gonzalez tha se mashtrimi “bën gjërat më të vështira për azilkërkuesit dhe refugjatët legjitimë, veçanërisht për komunitetin LGBTI, ku prova objektive është e vështirë për t’u verifikuar”.

Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar theksoi se çdo përpjekje për të keqpërdorur sistemin e azilit është vepër penale dhe mund të çojë në dëbim dhe burg.

Ndërkohë, statistikat tregojnë se shtetasit pakistanezë përbëjnë një numër disproporcional të kërkesave për azil bazuar në orientimin seksual, me pothuajse dy të tretat e aplikimeve të pranohura në fazën fillestare në vitin 2023.

Top Channel