Kosova bllokon importimin e deleve dhe dhive nga Shqipëria: Shkak shpërthimi i murtajës së bagëtive të imta në Dibër

15/04/2026 12:00

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka vendosur të ndalojë importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta, e njohur si Peste des Petits Ruminants (PPR), në Qarkun e Dibrës.

Autoriteti u ka bërë thirrje komunave në zonat kufitare që të vendosin masa të rrepta për kufizimin e lëvizjes së bagëtive në kullotat pranë kufirit.

Po ashtu, fermerët këshillohen të mbajnë nën mbikëqyrje të vazhdueshme tufat e tyre dhe të shmangin çdo kontakt me kafshët që vijnë nga territori shqiptar.

Në njoftim theksohet se kontrollet do të shtohen në të gjitha pikat kufitare dhe në zonat përreth, me qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në territorin e Kosova.

AUV u bën apel fermerëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin disa masa parandaluese, si shmangia e lëvizjeve të panevojshme të bagëtive, raportimi i menjëhershëm i çdo shenje të dyshimtë tek veterineri, kufizimi i kontakteve me kafshë të tjera, si dhe respektimi i udhëzimeve zyrtare. Gjithashtu, rekomandohet që të mos blihen kafshë pa u verifikuar gjendja e tyre shëndetësore dhe të forcohen masat e biosigurisë në ferma.

Autoritetet theksojnë se kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.

Top Channel