Prapaskenat e marrëveshjes/ Lara Colturi do të vazhdojë të përfaqësojë ngjyrat kuq e zi edhe sezonin e ardhshëm

30/04/2025 11:56

Pas një beteje jo të qetë mes familjes Colturi, Federatës Shqiptare të Skive dhe asaj Italiane, më në fund presioni i skualifikimit ndaj skiatores italiane që garon me Shqipërinë duket se ka qenë më i madh se sa dëshira për të garuar për vendin e saj të lindjes.

Që prej edicionit të fundit të Kupës së Botës dhe Botërorit të Skive të këtij viti, Lara Colturi ka shprehur dëshirën, për t’u rikthyer te vendi saj i lindjes për të garuar nën ngjyrat axurre në këtë edicion të Kupës së Botës që fillon në tetor dhe për të qenë pjesë e skuadrës olimpike italiane në Olimpiadën dimërore që zhvillohet pikërisht në Itali, Milano-Cortina në fillim të vitit të ardhshëm.

Një largim i saj pa konsensusin e federatës shqiptare të skive do t’i kishte sjellë një penalitet prej 1 viti pushim dhe zerim të pikëve që ka përfituar deri tani. Presioni, edhe pse i padukshëm publikisht, ishte i madh nga familja Colturi dhe federata italiane e skive për të përvetësuar një prej talenteve më të mëdha të skive europiane, aq më tepër në këtë vit, ku Italia është pa lideren e saj Frederika Brignone, e dëmtuar rëndë për të cilën do t’i duhet shumë kohë të rikthehet.

Gjithsesi, kontributi i Shqipërisë në këtë avancim në rezultate dhe rritje të talentit Colturi ka qenë shumë i madh dhe në vitin më të rëndësishëm edhe për ne, atë të Olimpiadës, Lara Colturi ka një vlerë shumë të madhe për ne, jo thjeshtë që prej saj presim ndoshta medaljen e parë olimpike dimërore, por edhe për faktin që niveli i saj i lartë na hap vendin për më tepër sportistë në kombëtaren tonë si pjesëmarrës në Olimpiadën, Milano Cortina 2026.

Ende prite të hidhet e zeza mbi të bardhë, por sot deri në mes natë ishte afati i fundit përpara mbledhjes së komitetit ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Skive, ku mes të tjerave vendoset edhe për transferimin e sportistëve. Kontrata që po diskutohet ka të bëjë me një modul 1+1 vit apo një tjetër 1 vit plus 4 sikurse e ka propozuar familja Colturi për të përfituar edhe ajo sigurinë e vazhdimësisë nën ngjyrat kuqezi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta