Anija kozmike e Elon Musk më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë ka shpërthyer mbi grupin e ishujve Turks dhe Caicos.
Ishte një pasdite tipike e qetë nëpër ishujt tropikalë që shtrihen në juglindje të Floridës. Por më 16 janar, menjëherë pas perëndimit të diellit, një anije kozmike shpërtheu mbi Oqeanin Atlantik të Veriut pranë ishujve Turks dhe Caicos.
Pjesa e sipërme e një sistemi nisjeje SpaceX Starship, raketa më e fuqishme e ndërtuar ndonjëherë, ishte copëtuar disa minuta pas ngritjes nga Teksasi, gjatë fluturimit të tij të shtatë provë, duke u kthyer në një re mbeturinash që binin nga qielli.
A ishin meteorë? Satelitë? Paralajmëruesit e fundit të botës?
“Unë nuk kam parë kurrë ngjyra të tilla në qiell. Në fillim mendova se ishte një aeroplan i vërtetë që kishte shpërthyer”, tha Lori Kaine, një banore e Providenciales, ishulli kryesor i arkipelagut Turks dhe Caicos.
Kur Kaine kontrolloi mesazhet në telefonin e saj, ajo pa raportimet për fluturimin e dështuar të një anije kozmike të Starship.
Të nesërmen në mëngjes Kaine tha se ajo filloi të analizonte pasojat.
Një kabllo misterioze kishte rënë në rrugën. “Pllakat e thyera gjashtëkëndëshe, me gjasë pjesë e mburojës termike të anijes, ndotën rrugën ku Kaine zakonisht shëtit qentë e saj”, tha ajo. Plazhi ishte mbushur me mbeturina.
Nuk raportohet për të lënduar nga shpërthimi, por shumë banorë thonë se pjesët e raketave ranë pranë shtëpive dhe disa të tjera janë nxjerrë nga deti përgjatë bregut të plazheve.
Pasi Starship shpërtheu, Administrata Federale e Aviacionit aktivizoi një “Zonë të Reagimit ndaj Mbetjeve”, duke mbyllur për pak kohë hapësirën ajrore pranë Turks dhe Caicos. Agjencia amerikane licencon lëshimet komerciale të raketave dhe po heton incidentin.
Mbeturinat tani janë gjetur në të gjithë ishujt, sipas një baze të dhënash të krijuar nga grupi lokal mjedisor Turks and Caicos në partneritet me Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Bregdetare të qeverisë.
“Mbetjet janë gjetur në çdo plazh në Providenciales, si dhe nga Caikosi jugor në Caikosin perëndimor”, tha Alizee Zimmermann, drejtoresha ekzekutive e Fondit Turks and Caicos Reef. Pati gjithashtu të paktën një rast të dëmtimit të pronës pasi mbetjet goditën një makinë.
SpaceX ndryshe nga NASA dhe disa nga konkurrentët e kompanisë në industrinë e hapësirës ajrore, ka adaptuar një strategji të quajtur “zhvillim i shpejtë përsëritës”. Strategjia synon ndërtimin e prototipave të shumtë për testime të herë pas hershme.
Në deklaratën e saj për CNN, FAA tha se qeveria e Turks dhe Caicos ishte vënë në dijeni përpara nisjes së Starship se ishujt ndodhen brenda një zone të mundshme rreziku.
Top Channel