Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari i ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, foli në lidhje me hetimet për 21 Janarin.
Ai u shpreh se do duhet që personat që kanë dijeni për këtë çështje të dëshmojnë në mënyrë që të jepen provat për zbardhjen e plotë të kësaj dosjeje.
“Ndjej trishtim, kanë kaluar vite dhe çështja nuk është mbyllur akoma. Unë dhe Dumani jemi njerëz që dashurohemi me drejtësinë, nëse kishte një gjë që më bashkonte me Dumanin ato vite që punuam, ishte drejtësia njerëzore, ne ndenjëm te e drejta, te e vërteta. Ne menduam që rekursin që bëmë ne do ta zgjidhte Gjykata e Lartë, por për çudi të të gjithë profesionistëve, e rrëzoi që në dhomën e këshillimit.
Jam i bindur që ajo çështje ka gjëra që duhen zbardhur, por më shumë ka nevojë për njerëz që dinë, grup njerëzish që dinë sesi janë zhvilluar, të bashkëpunojnë me prokurorinë për të thënë të vërtetën e disa gjërave që nuk janë zbardhur dot deri tani.
Trusnia ka qenë e fortë për të gjithë për çështjen e 21 janarit, ka pasur dhe veprime të nënkuptuara të kërcënimit, por mua mund të më ndalojë vetëm krijuesi, por që të funksionojë presioni kjo s’ka ndodhur dhe jam i bindur që në shumicën e prokurorëve nuk ndodh kurrë”, tha ai.
Top Channel