Të ftuar në “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon ishin aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj, përballë drejtorit të Qendrës Kinematografike, Jonid Jorgji dhe producentit Ols Abazi.
Debati i nisur javën e shkuar lidhur me projektligjin për kinematografinë shqiptare duket se është nxehur më tej.
Të dy u përplasën ashpër, për herë të parë përballë njëri-tjetrit në studio.
Mevlan Shanaj: Ju falënderoj që më jepni mundësinë të jem përballë këtij zotërisë, që është kryetar i Qendrës Kinematografike, ose duhet të them këtë djalin, sepse nuk është në pozicionin e Kryetarit të Qendrës. Po të dojë ai, ja argumentoj edhe këtë.
Unë reagova te festivali, sepse nuk ka rëndësi, një festival ikën, vjen tjetri, por për qëllimin e madh, për deformimin që do t’i bëhet ligjit të kinemasë. Është një ligj që është bërë në ’96, me një mision shumë të madh, duke e shkëputur Qendrën Kinematografike nga shteti dhe duke e bërë institucion të pavarur dhe në krye ishte një profesionist si Anagnosti.
Ky ligj vazhdoi deri më sot. Sot kërkojnë ta përmirësojnë, por në vend që t’i vënë vetullat, po i nxjerrin sytë.
Edhe ju e keni lexuar që Qendra Kinematografike do të bëhet agjenci audiovizuale, do të prodhohen edhe videolojëra. Në një kohë që unë them që Shqipëria të ndërtojë në mënyrë të pavarur Qendrën e Filmit, të rritet buxheti, të mbetet vëmendja ndaj filmit shqiptar, të kihet kujdes ndaj autorëve shqiptarë dhe, për sa i takon buxhetit, e dini ju që buxheti më i lartë ka qenë 1.6 milionë euro, në një kohë kur vendet përreth nesh e kanë disa herë më shumë.
Këta zotërinjtë që rrinë nën një strehë me Ministrin e Kulturës, të mos i lëpihen atij, duke pirë kafe me njëri-tjetrin, por të shohin ku është filmi shqiptar, si trajtohet krijuesi shqiptar. Pra, me plot gojën, të marrin mendim çdo njeri i ditur dhe me përvojë si unë, që jam profesionist dhe jo njeri politik.
Këta janë viktima të politikës së emëruar. Nuk ka Mevlan Shanaj asnjë politikë të majtë apo të djathtë dhe mos tund kokën ti, Jorgji. Dëgjo mirë, se je duke u sjellë në mënyrë skandaloze. Unë të ftova kur bëra filmin e Nikolla Zoraqit dhe ti, për detyrim, duhet të vije, sepse ishin paratë e shtetit, jo të xhepit tënd. Nuk erdhe ta shikoje. Filmi u shfaq dy herë në Tiranë dhe një herë në Korçë, u shfaq në Prishtinë dhe koka jote që tundet është koka e një kukulle.
O Kukull, nuk sillesh dot ti me Mevlan Shanaj kështu, sepse, siç je emëruar atje nga politika, me shqelma të nxjerrin jashtë ne profesionistët.
Unë po flas për ligjin, nuk kam asgjë personale. Unë po them që ligji për kinemanë po deformohet nga njerëz të paditur, duke futur videolojëra dhe duke e quajtur atë agjenci shërbimi. Jo, kjo nuk shkon.
Duhet të rritet kapaciteti i filmit shqiptar, të rritet buxheti, të merret qeveria me filmin dhe njerëz profesionistë dhe jo amatorë.
E dini ju që këta nuk e kanë treguar se kush është ky grup që e ka krijuar projektligjin për filmin. Këta shkelin padrejtësisht në profesionin që i është dhënë. Ai është një pozicion i shenjtë, të kesh në dorë të menaxhosh një institucion të pavarur, por nuk kanë faj, sepse edhe kryeministrat me radhë, nga Rama dhe Berisha, kanë ndërhyrë.
Atje ka një bord që përcakton kapacitetin, nivelin e filmave. Ata marrin në telefon dhe thonë: “T’i jepet film këtij”, duke e motivuar politikisht. Jo, dhe jo ai është një institucion i pavarur.
Në Shqipëri nuk ka asgjë që bëhet jashtë politikës. Unë po akuzoj administratën. Qendra Kombëtare e Filmit nuk ka administratë, ka njerëz që i nënshtrohen mendimeve të ndryshme ose interesave të ndryshme ekonomike.
Rreziku është katastrofal. Po dëmtohet mbrojtja dhe ndërtimi i filmit shqiptar, duke i futur emërtime që s’kanë lidhje me filmin shqiptar. Duhet të rritet buxheti dhe të mbrohen autorët.
Jonid Jorgji: Ndodhem në një pozitë të sikletshme. Mevlanin e kam pasur profesor dhe më vjen keq që flitet në këtë mënyrë për ata njerëz që punojnë atje për të bërë ligje.
Të bësh një ligj të ri është një punë kolosale. Ligji i vjetër ka qenë i shkëlqyer për kohën, por në 30 e ca vjet, çdo ligj ka nevojë për modernizim, për përmirësim.
Në Qendrën tonë ne kemi ekspertë shumë të mirë, të cilët kanë përpiluar ligjin.
Shanaj: Ke ekspertin e kafeve? Cilët janë ekspertët? Dua emrat.
Por situata u përkeqësua më tej kur Jonid Jorgji i kujtoi disa fonde që, sipas tij, aktori kishte marrë.
Jonid Jorgji: “Ke marrë fonde dhe nuk ke bërë asgjë, kthe lekët”.
Drejtori i Qendrës Kinematografike iu drejtua aktorit, duke i thënë se me paratë e marra ai nuk kishte zhvilluar apo realizuar asgjë, sipas programit për të cilin kishte përfituar fondet.
Top Channel