Portreti i veçantë i gruas shqiptare, piktori Edison Abazi ka përdorur 4 mijë metra fije dhe 13 mijë thumba për veprën e re

01/11/2026 22:01

Ky është portreti i gruas shqiptare sipas imagjinatës së piktorit Edison Abazi, që ka ndërthurur elementët tradicionale me ato modern për realizimin e kësaj vepre.

“Jam munduar t’i kombinoj ngjyrat sipas formatit të portretit. Jam munduar t’i miksoj që të dalë siç unë e kam fantazuar dhe që njëkohësisht të jetë brenda konturit të hijes shqiptare”, tha Edison Abazi, piktor.

Teknika që artisti përdor është string art, arti i fijeve, ku fija thuret mes thumbave. Një punim që kërkon kreativitet dhe precision në punim. Për këtë vepër të përmasave të mëdha, Abazit i janë dashur katër muaj punë.

“Janë përdorur rreth 4.5 kilogramë thumba dhe 4000 metër fije. Mund të jenë rreth 12 ose 13 miijë thumba, të cilët ngulen një më një me çekiç”.

Këtë teknikë, piktori e ka kthyer në gjuhën e tij artistike, që e ka zhvilluar gjatë shtatë viteve të fundit në Çeki, ku ka hapur shtatë ekspozita. Ndërsa për veprën që e ka titulluar Gruaja Shqiptare thotë se hasi vështirësi për të gjetur një hapësirë ekspozimi në Tiranë.

“Edhe pse jam në një shtet europian, ka kufizime për këtë art që është ende i ri, ndaj më është dashur shumë punë për ta promovuar. Nëse flasim për Shqipërinë, ka shumë hapësira për t’u përmirësuar, jo vetëm për pikturën, por edhe artin në përgjithësi. Uroj që të bëhet diçka për t’i mbështetur sepse ka artistë të talentuar që nuk po e gjejnë veten”.

Ndonëse profesionin që nisi 8 vite më parë kur la punën si xhongler pas mbylljes së Cirkut Kombëtar, sot e zhvillon në Çeki, Edison Abazi kërkon të mos shkëpusë lidhjen me publikun shqiptar, te i cili synon të prezantojë edhe instalacione të tjera në vijim.

Top Channel