Maklena Nika proteston përmes letërsisë! “Rozë antraciti”, një roman për revolucionet që ndodhin në heshtje

02/11/2026 14:54

Doli nga shtypi, nën siglën e Botimeve Toena, romani më i ri i shkrimtares Maklena Nika, “Rozë antraciti”, një rrëfim ku revolucioni kolektiv dhe revoltat e brendshme të njeriut ndërthuren mes reales, absurdit dhe surreales.

Në Tiranë ka shpërthyer Revolucioni i Flamingove. Qyteti zien nga protestat, ndërsa një grua nuk del në shesh. Ajo ka shumë arsye për të protestuar, por zgjedh një mënyrë tjetër: të shkruajë një roman. Dhe pikërisht këtu nis revolucioni i saj.

Në qendër të veprës është një grua që përballet me kohën, kujtesën, padrejtësitë e së kaluarës, dashurinë dhe ndryshimet e trupit të saj. Menopauza, dëshira dhe seksualiteti trajtohen përtej tabuve, si pjesë e një revolucioni intim dhe ekzistencial.

Një histori dashurie ku pasioni dhe magjepsja ndaj tjetrit krijojnë një univers më vete, në të cilin dashuria herë ngjan me një akt lirie, herë me një dorëzim të vullnetshëm.

Rozë antraciti është një ngjyrë që nuk ekziston, por që mund ta përjetojmë. Është ngjyra e dashurisë kur përballet me errësirën, e dëshirës kur përballet me kohën, e një gruaje që nuk ka lindur rozë, ashtu si flamingot, por që kërkon ta shpikë vetë ngjyrën e saj. Një metaforë e kontradiktave, transformimeve dhe revolucioneve të heshtura të njeriut.

Me një strukturë të veçantë, ku çdo kapitull ka ritmin e vet muzikor, romani ndërthur gjuhën poetike, ironinë, sensualitetin dhe reflektimin mbi identitetin dhe lirinë individuale.

Pas vëllimeve poetike Oksimoron dhe Nitroglicerinë, Maklena Nika sjell një roman ku vetë akti i të shkruarit bëhet pjesë e rrëfimit, duke mjegulluar kufijtë mes asaj që jetohet, asaj që imagjinohet dhe asaj që merr jetë në letërsi.

 

Top Channel