Fluks në spitalin e Durrësit, më shumë se 400 persona në ditë paraqiten në urgjencë prej virozëve

12/01/2025 12:40

Mbi 400 persona, mes të cilëve të rritur dhe fëmijë, paraqiten çdo ditë në urgjencën e spitalit dhe atë të pediatrisë së Durrësit për ndihmë mjekësore. Shumë prej tyre, me simptoma të infeksioneve virale. 

Mjekja infeksioniste, Nensi Sulstarova thotë: “Jemi në pikun e sezonit gripal. Nga të dhënat e shërbimit të urgjencës nga 300 raste që paraqiten çdo ditë aty, 100 janë me sindromën gripal, që manifestohen me dhembje koke, temperaturë të lartë, ethe dhe mialgji. Në tamponët e marrë PCR për influencën 70 % rezultojnë pozitiv me grip”.

Në këtë periudhë, ngarkesa e stafit mjekësor është e plotë, por ndryshe nga sezonet e kaluara nuk ka pasur raste me komplikacione të rënda të gripit, ndërsa mungojnë rastet me COVID. Sipas mjekëve, vaksinimi kundër gripit në periudhën e vjeshtës ka ndikuar pozitivisht që dhe kategoritë më të rrezikuara ta kalojnë më lehtë gripin sezonal.

“Pak, 3-4 raste në ditë janë shtruar në spital, pjesa tjetër është ndjekur me terapi ambulatore. Këshilla ime mbetet padiskutim shmangia e vendeve të mbipopulluara, kryesisht për kategoritë e riskut: fëmijët e vegjël, moshat e treta dhe të sëmurët kronikë”, shton ajo

Mjekët u bëjnë thirrje pacientëve me simptoma jo të rënda të drejtohen tek mjekët e familjes, duke shmangur mbingarkesën e urgjencës, por dhe duke ulur rrezikun për përhapjen e infeksioneve tek pacientët e tjerë, dhe kryesisht te të sëmurët kronikë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA