Nis të funksionojë shërbimi i trombektomisë për ata të cilët pësojnë ishemi apo hemorragji cerebrale, si dhe kanë patologji të tjera vaskulare apo cerebrovaskulare. Shërbim ky i munguar dhe shumë i kërkuar në një qendër të shërbimeve spitalore terciare. Ministrja e Shëndetësisë tha se ky shërbim tanimë do të funksionojë 24 orë.
“Që sot, trombektomia është në shërbim të qytetarëve në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Është një shërbim i strukturuar dhe i integruar i neuroradiologjisë diagnostikuese dhe intervenuese, që do të thotë se, përmes aparaturave moderne, mundësohet jo vetëm diagnostikimi, por edhe trajtimi i rasteve të insultit ishemik nëpërmjet trombektomisë mekanike. Në këtë shërbim do të trajtohen edhe patologji të tjera me origjinë vaskulare, si aneurizmat, të cilat deri më sot nuk trajtoheshin”, tha Evis Sala.
Investimi nuk përfshin vetëm teknologjinë, por edhe ngritjen dhe trajnimin e një ekipi të specializuar mjekësor, përfshirë neuroradiologët intervenues, infermierët dhe teknikët, për garantimin e cilësisë së shërbimit. Me një potencial prej rreth 200 procedurash të avancuara endovaskulare në vit, Angiografia Biplanare dhe Kabineti i Radiologjisë Intervencionuese forcojnë kapacitetet e QSUT për trajtimin e patologjive komplekse neurovaskulare, duke sjellë në vend mundësi të reja për ndërhyrje të shpejta, të sigurta dhe të avancuara.
Top Channel