Mjekët e spitalit “Memorial”në Fier kryejnë për herë të parë transplantimin e endoprotezës në zemër, pacientja 68 vjeçare drejt rikuperimit pas dëmtimit së aortës
Një operacion i vështirë me probabilitet suksesi më pak se 5%, u krye në spitalin “Memorial”. Procedura në terma teknikë quhet, TEVAR (Thoracic Endovascular Aortic Repair) dhe është e para e këtij lloji në një spital publik. Në krye të ekipit të mjekëve ishte shefi i hemodinamikës së spitalit “Memorial” Ndriçim Kallashi.
Pacientja nga Kavaja, Vjollca Xhafa u paraqit fillimisht me simptoma të dëmtimit të aortës që mund të shkaktonte çarjen e saj.
Vendimi për të ndërhyrë dhe vendosur endoprotezën në pjesën e dëmtuar, u mor pas konsultimit me ekipin mjekësor të spitalit duke marrë në konsideratë shanset tepër te ulëta që pacientja t’i mbijetonte operacionit. Suksesi i operacionit përtej një arritjeje mjekësore përkoi edhe me ditëlindjen e 69 vjeçares.
“Kjo ishte ndërhyrje shumë e vështirë, shumë komplekse, por mjeku Kallashi dhe ekipi i tij, bënë që rezultati të ishte i mirë. Tani kjo procedurë mund të kryhet për të tjerë pacientë që kanë probleme me disekacionin e aortës”, shprehen mjekët.
Metodat e përparuara mjekësore, pajisjet moderne dhe bashkëpunimi i frytshëm me mjekët turq, e kanë shndërruar Memorialin në një nga spitalet publike më të mirë në vend.
Top Channel