Fëmijëria e vështirë lë pasoja, OBSH: Dy në tre të rinj europianë kanë përjetuar trauma në fëmijëri

31/10/2026 20:03

Më shumë se dy të tretat e të rinjve në Europë kanë përjetuar të paktën një përvojë negative gjatë fëmijërisë së tyre.

Kjo mund të ketë të bëjë me dhunë në familje, abuzim emocional apo deri ndarje të prindërve, por edhe humbje të njërit prind.

Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thekson se përvojat e vështira në fëmijëri rrisin rrezikun për probleme të shëndetit mendor dhe vështirësi socio-ekonomike më vonë. Studimi përfshiu afro 26 mijë persona të moshës 18-30 vjeç, të anketuar nga nëntori 2025 deri në janar 2026.

Gjetjet treguan se problemet negative në fëmijëri jo vetëm u pasuan me probleme të shëndetit mendor, por edhe me vështirësi në aktivitetet e përditshme dhe cilësi më të ulët të jetës.

Të rinjtë treguan se nuk kishin pasur asnjë mbështetje profesionale të shëndetit mendor kur ata ishin ndeshur me probleme të shëndetit mendor.

Ekspertët paralajmërojnë se pa parandalim dhe ndërhyrje të hershme, pasojat e përvojave negative mund të përsëriten brez pas brezi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë prej kohësh u bën thirrje qeverive të kenë në fokus krijimin e kushteve të përshtatshme për shëndetin mendor të fëmijëve, në mënyrë që të mos përballemi me një shoqëri të sëmurë më vonë.

Sipas statistikave, në Shqipëri rreth 1 në çdo 7 persona vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe pjesa më e madhe e tyre nuk marrin trajtim apo ndiqen nga psikologu.

Top Channel