Sherr në Spitalin Memorial, punonjësi ndjek me thikë mjekun kirurg pas përplasjes fizike

16/09/2026 12:35

Një incident pa pasoja të rënda është shënuar në ambientet e Spitalit Memorial në Fier. Mjeku kirurg Julian Malaj është përfshirë në një konflikt me një punonjës të spitalit.

Sherri raportohet se nisi brenda ambienteve të spitalit, ku punonjësi, me detyrë kaldaist, është përfshirë në një konflikt fizik me mjekun Malaj. Pas përplasjes me grushte, për arsye ende të paqarta, kirurgu ka dalë nga spitali, por punonjësi e ka ndjekur me një thikë në dorë dhe ka tentuar ta sulmojë.

Pas këtij momenti, policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa mjeku Malaj është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Fierit.

Policia konfirmon se mjeku nuk ka marrë dëmtime nga arma e ftohtë, thika që mbante në dorë punonjësi i spitalit. Aktualisht, Malaj po jep dëshminë e tij në polici për rrethanat e ngjarjes.

Mjeku që u përfshi në konflikt është bërë i njohur edhe për dëshminë e dhënë pasi, mbrëmjen e 29 marsit 2022, ishte mjeku që vizitoi një prej personazheve të botës së krimit, tashmë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani.

Në atë kohë, Dumani mbeti i plagosur në një atentat dhe më pas u arrestua.

Top Channel