Supermodelja britanike vdes papritur gjatë pushimeve në Greqi, disa muaj pas martesës (fotot)

08/11/2024 21:44

Ish-supermodelja britanike Georgina Cooper – dikur imazh i grupit ‘Cool Britannia’, mike e ngushtë e Kate Moss – ka vdekur papritur në moshën 46 vjeçare në ishullin grek të Kos disa muaj pas martesës, njofton rrjeti vendas MailOnline.

Homazhe të shumta bëheshin për të nga bota e modës dhe e spektaklit, nga modele e aktorë si Jade Parfitt, Erin O’Connor, Jodie Kidd e Helena Christensen, të cilët e quanin një rreze drite për arritjet e saj.

Georgina po qëndronte në Kos në hotelin Marianna me bashkëshortin e saj kur u sëmur papritur në fund të muajit të shkuar dhe stafi kishte thirrur ambulancën.

Doktorët e ishullit pa dhënë shkakun e gjendjes së rëndë, e dërguan atë me helikopter në spitalin e Kretës, ku e ndjera qëndroi për pesë ditë pa mundësi përmirësimi derisa ndërroi jetë.

Kësaj jave trupi i saj është kthyer në Angli.

Një burim vendas nga Kos tha: “Ajo vinte këtu për pushime prej gati 20 vjetësh. Njihej nga të gjithë në hotelin ku qëndronte. Ishte këtu dhe në korrik për muajin e mjaltit pas martesës”.

“Kjo vdekje dhe sëmundje e papritur është shokuese për ne. Ajo donte të vendosej këtu dhe të niste një biznes, është kaq e trishtë”.

Ish përfaqësuesi i saj Dean Goodman tha për rrjetin MailOnline: “Ajo e donte shumë Greqinë dhe më tha që do të kthehej bashkë me bashkëshortin”.

“Georgina ka qenë e sëmurë gjatë kohës së Covid dhe prej atëherë shpesh në spital, nuk arrinte të shërohej dot nga problemet. Ajo u martua sivjet dhe kishte plane për të ardhmen. Ne jemi të shtangur, ajo ishte një  superstar i vërtetë për ne”.

Georgina ka nisur karrierën e modeles që prej moshës së njomë dhe është shfaqur në një video muzikore të Bon Jovi kur ishte vetëm 15 vjeçe.

Nuk dihet arsyeja nga se ka vdekur e ndjera, e cila vitet e fundit ishte përfshirë në bamirësi të konsiderueshme për çështjet shëndetësore, e motivuar nga problemet e veta që prej kohës së Covid.

Kunata e saj Tracey Wallace e përshkruante vdekjen e Georgina si një ‘tragjedi’.

45 vjeçarja Wallace, tha: “I dashuri im Shane është vëllai i Georgina, kjo është një tragjedi, nuk di ç’të them”.

Georgina ishte e afërt me kolegen modele nga Londra, Kate Moss me te cilën kanë punuar me revistat dhe shtëpitë më të mëdha të modës.

Ajo ishte nënë e një fëmije dhe ishte shfaqur disa herë në kopertinat e revistave si Vogue e The Face.

E ndjera ka thënë në 2018: “Pasi linda djalin tim nuk mund ta lija vetëm dhe reduktova shumë kohën e punës. Punoja vetëm në Londër pasi vendosa se Sonny duhet të vinte i pari”.

“Kam nisur këtë punë që kur isha 14 vjeçe kur nëna ime më regjistroi në një konkurs reviste në 1992—dola e treta në konkurrim dhe nëna e babai ishin shumë krenarë për mua”.

Shkaku i vdekjes së papritur nuk është publikuar, shkruan rrjeti vendas Daily Mail.

FOTO GALERI
1/14
Ish-supermodelja britanike Georgina Cooper – dikur imazh i grupit ‘Cool Britannia’, mike e ngushtë e Kate Moss – ka vdekur papritur në moshën 46 vjeçare

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA