Asnjëherë armiq të përbetuar, por as fqinjët më të mirë… si arriti pushtimi rus të afronte Ukrainën dhe Rumaninë

28/10/2024 08:15

Asnjëherë armiq të përbetuar, por as fqinjët më të mirë. Bukureshti dhe Kievi sot ndoshta kanë raportet më të mira ndër vite, në mos në dekada.

Arsyeja? Pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës.

Duke lënë anash çështjet territoriale dhe të gjuhës, Rumania tani është një nga aleatet më të fuqishme të Ukrainës, teksa dy shtetet nënshkruan një marrëveshje 10-vjeçare të sigurisë në korrik. Bukureshti jo vetëm që i ofron ndihmë ushtarake – edhe pse shumica e kësaj ndihme bëhet fshehtas, për shkaqe sigurie – por, po ashtu trajnon pilotët luftarakë ukrainas dhe së shpejti do të trajnojë edhe marinsat.

Pasi rrugët tregtare ukrainase janë ndërprerë, Rumania po ashtu është bërë një kanal kyç për tregjet globale sa i përket drithërave ukrainase dhe mallrave të tjera.

Pjesërisht për shkak të kësaj mbështetjeje dhe afërsisë së shtetit ndaj konfliktit, Rumania, që ndan një kufi prej mbi 650 kilometrash me Ukrainën, sipas raportimeve mediale ka regjistruar më shumë se çdo shtet tjetër raste të dronëve ushtarakë rusë që kanë fluturuar mbi territorin e saj.

Rumania, që po shpenzon më shumë se kurrë më parë në mbrojtje, po ashtu është integruar edhe më shumë në NATO – në aspektin strategjik – në mes të një zhvendosjeje drejt lindjes për shkak të asaj që aleanca ushtarake perëndimore e sheh si kërcënimin më të madh për sigurinë evropiane: Rusisë.

“Mendoj se është shumë e qartë se rëndësia strategjike e Rumanisë është rritur shumë që nga nisja e luftës”, tha Oana Popescu-Zamfir, drejtoresh e Qendrës GlobalFocus në Bukuresht.

“Për një kohë të gjatë jemi ankuar se i është thënë më pak vëmendje Detit të Zi në krahasim me krahun verilindor [të NATO-s]. Ne ende e ndiejmë se vëmendja nuk është e duhura dhe nuk ka strategji të qartë, një strategji të qartë të aleatëve për Detin e Zi, në kontekstin e agresivitetit të Rusisë. Por, megjithatë, është bërë shumë përparim”, tha Popescu-Zamfir për Radion Evropa e Lirë.

Sistemet Patriot
Një zëdhënës i Ministrisë rumune të Mbrojtjes konfirmoi për REL-in më 3 tetor se Ukraina ka pranuar një sistem të mbrojtjes ajrore, Patriot, nga Bukureshti. Rumania ka nënshkruar një kontratë më 2017 me kompaninë amerikane, Raytheon, dhe ka pranuar dërgesën e parë me Patriot më 2020. Aktualisht, shteti ka operacional vetëm një sistem të tillë.

Zelensky, i cili personalisht falënderoi Rumaninë për këtë sistem, për një kohë të gjatë ka kërkuar më shumë sisteme Patriot, duke argumentuar se ato do t’iu ndihmonin forcave të tij për të luftuar kundër pothuajse 3.000 bombave që ai tha se Rusia gjuan ndaj shtetit të tij për çdo muaj. Deri më tani, Ukraina raportohet se ka pesë sisteme Patriot: dy i ka marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe tri nga Gjermania.

Për dallim nga dërgesat me Patriot, shumica e pajisjeve ushtarake që Rumania i ka dhënë Ukrainës janë informacion i klasifikuar. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave dhe analistëve, në këtë ndihmë ushtarake janë përfshirë edhe raketahedhësit APRA-40, autoblindat TAB-71 dhe municione për artileri.

Po ashtu, Bukureshti ka nisur trajnimin e pilotëve ukrainas, ka konfirmuar më 12 shtator Ministria ukrainase e Mbrojtjes. Ukraina për një kohë të gjatë po kërkon avionë luftarakë F-16 nga aleatët, në mënyrë që të forcojë flotën e saj ajrore, që përbëhet nga MiG-ët e epokës sovjetike.

Pilotët ukrainas po trajnohen në Qendrën evropiane për Trajnimin e pilotëve për F-16 (EFTC), që u hap në nëntor të vitit 2023 në bazën ajrore të ushtrisë rumune afër qytetit juglindor të Fetestit. Kjo qendër po ashtu shërben si qendër rajonale trajnuese për F-16 për aleatët dhe partnerët e NATO-s.

Rumania gjithashtu ka njoftuar se planifikon të trajnojë marinsat ukrainas. Programi dyvjeçar pritet të zhvillohet në bazën ajrore 71, që njihet edhe si Campia Turzii. Kjo bazë gjendet në Rumaninë qendrore. Ideja është prezantuar në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës – i njohur edhe si Grupi Ramshtajn – ku bëjnë pjesë 57 shtete (të 32 aleatët e NATO-s dhe 25 shtete të tjera). I mbështetur nga presidenti rumun, Klaus Iohannis, plani është miratuar njëzëri në Parlamentin rumun më 1 tetor.

Ekonomikisht, Rumania po ashtu ka qenë thelbësore për Ukrainën, një nga eksportueset më të mëdha në botë të drithërave. Ukraina nisi përdorimin e portit rumun të Konstancës në Detin e Zi, pasi pushtimi rus i Ukrainës ndaloi dërgesat e Ukrainës nga portet e saj në Detin e Zi.

Më 2023, Ukraina eksportoi 14 milionë tonë përmes Konstancës, apo rreth 40 për qind të të gjitha eksporteve të drithërave të atij viti, shifër më e lartë krahasuar më 2022, kur eksportoi 8.6 milionë tonë.

Megjithatë, sasia e eksporteve ra në pjesën e dytë të atij viti pasi Rusia vazhdimisht kreu sulme nga porteve lumore të Ukrainë në Danub nga Rumania. Ukraina po ashtu po përdor një rrugë tjetër për transportin e drithërave, përgjatë Detit të Zi. Kjo rrugë po lë në hije rëndësinë e Konstancës për Kievin, por po ashtu vë në pah rritjen e bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Bashkëpunimi relativisht i mirë mes Rumanisë dhe Ukrainës po zgjeron rrugët e eksportit përmes Detit të Zi dhe Danubit ka nxitur mirëbesim të ndërsjellë. Rumania është fqinje e Ukrainës që deri më tani po merret me vëllimin më të madh të eksporteve bujqësore”, tha Simon Schlegel, analist për Ukrainën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

“Përderisa përshtatja e këtyre rrugëve kyçe të eksportit me barrën shtesë gjatë dimrit nuk është një proces pa përplasje, Kievi dhe Bukureshti kanë interes të përbashkët forcimin e infrastrukturë të porteve në Rumani”, tha Schlegel për REL-in.

Forcimi i raporteve Rumani-NATO
Ndërkaq, raportet e Rumanisë me NATO-n kanë forcuar po ashtu raportet. Më herët gjatë këtij viti, Bukureshti njoftoi se do të përshpejtonte punën në bazën ajrore Mihail Kogalniceanu, në Detin e Zi. Projekti, që fillimisht ishte bërë publik më 2019, synon të transformojë bazën në një qendër të madhe të NATO-s, që do të akomodonte avionët luftarakë dhe deri në 10.000 trupa të NATO-s.

“Do të bëhet baza më e madhe e NATO-s, jashtë territorit turk. Dhe arsyeja pse është e rëndësishme… është sepse Turqia po luan një lojë shumë më të ndërlikuar dhe nganjëherë nuk është e lehtë për aleatët e NATO-s që të varen nga Turqia dhe definitivisht jo për Rumaninë, e cila ndien se Deti i Zi mbetet një det i mbyllur për shkak të Turqisë dhe mënyrës se si ata e përdorin Konventën e Montrosë për t’u siguruar që të ndajnë ndikimin me Rusinë në Detin e Zi, dhe nuk lejojnë ndonjë ndikim tjetër të jashtëm”, tha Popescu-Zamfir, duke iu referuar dokumentit që rregullon trafikun detar përmes ngushticave turke.

Pavarësisht se është anëtare e NATO-s, Turqia është akuzuar si shtet që nuk ndërmerr veprim më të fuqishëm kundër anijeve ndihmëse të marinës ruse në ujërat e saj dhe Qeveria turke nuk vendos sanksione ndaj eksporteve detare të Moskës.

Moskës nuk i pëlqen fare plani për punime në këtë bazë ajrore.

Sa më e madhe të jetë baza e NATO-s dhe “sa më afër kufijve të Rusisë, ka më shumë gjasa që ajo të jetë ndër caqet e para për sulmet hakmarrëse”, tha senatori rus Andrei Klimov në mars. “Rumania nuk do të ketë asnjë përfitim nga kjo dhe do të ketë më shumë kërcënime. Ky është fakt”.

Rumania është mësuar me kërcënime të tilla. Më 2016 presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se pozicionimi i raketave amerikane në shtetet fqinje sikurse Rumania mund të çojë në masa hakmarrëse nga Rusia. Komentet e tij erdhën pasi Rumania instaloi një sistem të SHBA-së për mbrojtje ajrore në bazën ushtarake Deveselu, e njohur edhe si Deti i Zi.

Por, pushtimi rus i Ukrainës vetëm se ka rritur frikën, ka rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe më shumë integrim me NATO-n dhe anëtarët e saj. Rumania, e cila iu bashkua aleancës më 2004, ka ndarë një shifër rekorde prej 19 miliardë eurosh për shpenzimet e mbrojtjes më 2024, duke tejkaluar cakun prej 2 për qind të Bruto Prodhimit të Brendshëm të përcaktuar nga NATO-ja.

Rumania tani ka ushtrinë e dytë më të madhe të krahut lindor të NATO-s (75.000 trupa, ndërkaq Polonia ka më shumë, gjithsej 122.500), por shumica e pajisjeve të ushtrisë së saj janë të epokës sovjetike, edhe pse shteti ka filluar t’i ndryshojë. Në një prej marrëveshjeve më të mëdha deri më tani për modernizim, Rumania ka blerë 32 avionë F-35 nga SHBA-ja, njoftoi Pentagoni në shtator. Kjo marrëveshje është në vlerë prej 7.2 miliardë dollarësh. Në maj të vitit 2023, Rumania hoqi nga operimi avionët e saj MiG dhe tani flota e saj është kryesisht me avionë F-16.

Rëndësia strategjike e Rumanisë për krahun lindor të NATO-s u vu në pah kur aleanca ushtarake në mars të vitit 2022 u pajtua të dislokonte batalione në katër shtete të tjera lindore të NATO-s: Rumani, Bullgari, Hungari dhe Sllovaki. Ato iu bashkuan katër batalioneve të krijuara nga NATO-ja më 2016 dhe u vendosën (përfshirë edhe personelin nga disa shtete të NATO-s) në: Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni – dy vjet pasi Rusia mori nën kontroll Krimenë nga Ukraina dhe nisi të mbështeste separatistët në lindje të Ukrainës.

Dy shtetet shpesh kanë pasur raporte të tensionuara dhe qëndrimi i publikut në Rumani sa i përket Ukrainës dhe luftës së Rusisë mund të jetë i përzier, kjo pjesërisht për shkak të historisë, tha Popescu-Zamfir.

Rumania humbi pjesë veriore të Bukovinës dhe pjesë të Besarabias – që tani janë pjesë e Ukrainës – më 1940, falë paktit Molotov-Ribentropm një marrëveshje mes nazistëve dhe fuqive sovjetike për të mos sulmuar njëri-tjetrin dhe për të ndarë Evropën Lindore në sfera të ndikimit. Kjo pjesë e historisë ka ndikim edhe sot. Kur Zelensky mbajti një fjalim më 2019 duke përshkruar përfshirjen e Bukovinës veriore në Rumani më 1919 pas Luftës së Parë Botërore, Ministria e Jashtme e Rumanisë lëshoi një notë zyrtare të protestës.

Të dyja shtetet kanë po ashtu mosmarrëveshje sa u përket të drejtave të minoritetet. Vlerësohet se në Ukrainë jetojnë 151.000 rumunë, kryesisht në rajonet kufitare të Çernivtsit dhe Zakarpatias. Këtu nuk përfshihen edhe 259.000 personat që jetojnë në Çernivtsi dhe në rajonin e Odesës që Kievi i konsideron moldavianë, por Bukureshti i sheh si rumunë, duke argumentuar se kjo ishte një ndarje artificiale.

Sipas sondazheve, shumica e rumunëve mbështesin përfshirjen e shtetit në institucionet perëndimore dhe Popescu-Zamfir shtoi se shumica e elitës politike të shtetit janë radikalë sa i përket Ukrainës.

“Unë mendoj se tani kemi një konsensus rreth asaj që në thelb janë interesat tona të lidhura pashmangshëm me ato të Ukrainës”, tha Popescu-Zamfir. “Ne jemi në anën e njëjtë sepse Rusia është në anën tjetër. Kjo i bën gjërat më shumë bardhë e zi dhe kështu duhet që të qëndrojmë”./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA