Netanyahu i kërkon OKB-së që të evakuojë paqeruajtësit nga ‘zona e rrezikut’ e Libanit: Mund të kthehen në pengje të Hezbollahut

13/10/2024 16:31

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara që të largojnë paqeruajtësit nga “zona e rrezikut” e Libanit.

Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka operuar në vend që nga viti 1978 pas një pushtimi nga Izraeli.

Në një apel të drejtpërdrejtë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Benjamin Netanyahu tha: “Refuzimi juaj për të evakuuar ushtarët e UNIFIL i bën ata pengje të Hezbollahut”.

“Është koha që ju të largoni UNIFIL nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit”, tha Netanyahu.

Ai tha se ushtria izraelite e ka bërë vazhdimisht kërkesën, por ajo është refuzuar, sipas Skynews.

“Kjo i rrezikon ata dhe jetën e ushtarëve tanë”, shtoi lideri izraelit.

Netanyahu ndër tjera tha se Izraelit i vinte keq për lëndimet e shkaktuara ndaj paqeruajtësve dhe se po bënte “gjithçka” për të parandaluar që ata të lëndoheshin.

“Mënyra e thjeshtë dhe e qartë për të siguruar këtë është thjesht t’i nxjerrësh ata nga zona e rrezikut. Sekretar i Përgjithshëm, largoni forcat UNIFIL nga rreziku. Kjo duhet të bëhet menjëherë, menjëherë”.

Pesë paqeruajtës janë plagosur gjatë konfliktit të Izraelit me Hezbollahun që nga e enjtja, me të paktën katër të lënduar.

UNIFIL aktualisht ka më shumë se 10,000 trupa nga 50 vende dhe rreth 800 staf civil.

Mandati i tij rinovohet çdo vit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së prej 15 anëtarësh.

Paqeruajtësit kanë për detyrë të ruajnë qetësinë dhe të ulin tensionet përgjatë “vijës së kaltër ” që ndan Libanin nga Izraeli dhe Lartësitë Golan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA