Trump përgatit sanksione të forta ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, WSJ: Mund të ndalohen transaksionet në dollarë
Në Rusi janë mbyllur votimet për zgjedhjet parlamentare, në një proces që pritet të konfirmojë edhe një herë dominimin politik të presidentit Vladimir Putin dhe partisë së tij mbështetëse, Rusia e Bashkuar.
Zgjedhjet u zhvilluan për tre ditë, në të gjitha 11 zonat kohore të Rusisë, ndërsa votimi u organizua edhe në ambasada dhe konsullata ruse jashtë vendit.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të zhvilluara në vitin 2021, Rusia e Bashkuar fitoi 324 nga 450 mandatet në Dumën e Shtetit, dhoma e ulët e parlamentit rus.
Putin nuk është kandidat në këto zgjedhje dhe nuk është anëtar i partisë, edhe pse e ka drejtuar atë nga viti 2008 deri në vitin 2012. Zgjedhjet presidenciale të radhës në Rusi janë parashikuar për vitin 2030, pasi Putin fitoi zgjedhjet e vitit 2024 me rreth 88.5% të votave.
Procesi zgjedhor zhvillohet në një klimë ku opozita e besueshme, sipas burimeve të pavarura të cituara nga CNN, është praktikisht inekzistente. Kritikët e Kremlinit janë përjashtuar nga gara, burgosur ose janë larguar jashtë vendit.
Sipas organizatës së pavarur ruse për të drejtat e njeriut OVD-Info, më shumë se 2,000 persona ndodhen aktualisht në burg për arsye politike.
Partia Yabloko, e vetmja parti e regjistruar që kundërshton luftën në Ukrainë, u ndalua nga Gjykata Supreme ruse të marrë pjesë me listën e saj kombëtare. Disa kandidatë të saj u lejuan të garojnë në zona të veçanta njëmandatëshe, por partia ka raportuar kufizime dhe presione ndaj përfaqësuesve të saj.
Yabloko deklaroi gjithashtu se një vëzhgues i saj humbi ndjenjat gjatë ndalimit në një qendër votimi në Shën Petersburg, ndërsa vëzhgues të tjerë u penguan të hynin në qendra votimi.
Rezultati i zgjedhjeve pritet të përdoret nga Kremlini si dëshmi e mbështetjes së popullsisë për presidentin Putin dhe për luftën në Ukrainë, të cilën autoritetet ruse vazhdojnë ta quajnë “operacion special ushtarak”.
Para votimit, Putin u bëri thirrje qytetarëve të shfaqnin unitet përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.
Për vëzhguesit, përveç rezultatit të partive, pjesëmarrja në votime pritet të jetë një prej treguesve kryesorë për të kuptuar nivelin e mbështetjes së qytetarëve për drejtimin politik të vendit dhe luftën në Ukrainë.
Një tjetër element i diskutuar i këtyre zgjedhjeve ishte përdorimi i gjerë i votimit elektronik, i cili u promovua edhe përmes incentivave për votuesit.
Kritikët e sistemit kanë ngritur prej kohësh pikëpyetje mbi transparencën e votimit online, ndërsa autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë këto pretendime dhe këmbëngulin se procesi zhvillohet në përputhje me ligjin.
Vetë Vladimir Putin votoi elektronikisht dhe Kremlini publikoi pamje të presidentit duke përdorur sistemin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi gjithashtu probleme teknike dhe ndërprerje të sistemit elektronik në Moskë, të cilat, sipas kryetares Ella Pamfilova, u shkaktuan nga një sulm i gjerë kibernetik.
Zgjedhjet u zhvilluan ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdoi. Autoritetet ukrainase i kanë cilësuar votimet e organizuara nga Rusia në territoret ukrainase të pushtuara si të paligjshme, ndërsa gjatë ditëve të zgjedhjeve të dyja palët vijuan sulmet me dronë dhe raketa.
Top Channel