ONM kërkon apelimin e konfirmimit për prokurorin Aurel Zarka, u arrestua pasi ndikoi në çështjen “Toyota Yaris”

08/10/2024 17:25

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Komisionerit Publik të apelojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i arrestuar me urdhër të SPAK.

Vëzhguesit ndërkombëtarë arsyetojnë se apelimi dhe një rishqyrtim i pasurisë dhe kritereve të tjera të rivlerësimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit është i nevojshëm pas arrestimit të Zarkës dhe akuzave ndaj tij për përfshirje në korrupsion.

“Vëzhguesit Ndërkombëtarë ftojnë Komisionerët Publikë të lexojnë dhe shqyrtojnë dokumentet e marra nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme në ambientet e ONM-së. Apelimi do t’i mundësonte Kolegjit të Posaçëm të Apelit që të kryejë një hetim të plotë të çështjes, vlerësimin e pasurisë së subjektit, si dhe vlerësimin e figurës dhe aftësive të tij, i cili do të siguronte që ai vërtet ka besimin e publikut, rikthimi i të cilit është synim kryesor i procesit të Vettingut dhe institucioneve që e zbatojnë atë”, theksohet në rekomandim.

Njoftim për shtyp     

Në datën 28.6.2024, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Aurel Zarka,  prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë.

Vendimi nr. 779, datë 28.6.2024, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë sot, më datë 8.10.2024.

Po sot, më datë 8.10.2024, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Pezulluar nga detyra me vendimin nr. 187, datë 31.07.2024, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA