Me thirrjet “Duam libra shqip”, dhe “kujdes shëndetësor pa diskriminim gjuhësor”, shqiptarë të Luginës së Preshevës dolën në rrugë për të protestuar sikurse thanë, për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.

Protestuesit valëvisnin flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, ndërsa mbanin në duar pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizimit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “më ktheni adresën time”. Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Beogradin për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ai “nuk e do integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë pakicën e katërt më e madhe në Serbi, ku rezulton të jetojnë gati 61.700 shqiptarë. “Serbia vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin e adresave”, tha Kamberi, i cili në zgjedhjet e 17 dhjetorit siguroi një tjetër mandat si deputet në Parlamentin e Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u shpreh se shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se Qeveria e Kosovës i mbështet qytetarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA