Drejtori i përgjithshëm i DPMZSH, Arben Cara, deklaratë për mediat pas inspektimit të zjarrit të madh që ka përfshirë prej 5 ditësh Malin e Thatë dhe rrezikon Parkun Kombëtar të Prespës.
“Situata vazhdon me vatrën e zjarrit aktive prej 5 ditësh, edhe pse kemi ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja është me një perimetër shumë të gjatë, mbetet aktive por me përmasa jo shumë të mëdha. Ajo çfarë na bën të vazhdojë është se kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën është e pamundur ta menaxhosh me mjete rrethanore dhe për këtë arsye, dje kemi aktivizuar helikopterin “coogar” i cili ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka bërë të mundur mbylljen e një vatre zjarri me perimetër goxha të gjerë.
Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën. Ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit kemi aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga MZSH, tre bashkitë Korçë, Maliq, Pogradec, në ndihmë të bashkisë Pustec pranë zjarrfikësve të Pustecit, forca operacionale nga ushtria, agjencia e zonave të mbrojtura, forca të emergjencave civile të cilat aktualisht janë duke shkuar tek vatra e zjarrit e cila kërkon të pakten një kohë minimumi prej tre orësh në këmbë. Pasi forcat operacionale të dislokohen, të shohin situatën në vendin e ngjarjes, do të na japin një informacion të detajuar sa i përket zhvillimit të kësaj vatre dhe më pas do merret një vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri ashtu si edhe ditën e djeshme e kemi bërë, apo është e mundur të lokalizohet brenda ditës së sotme deri në orët e vona të darkës.
Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe mali i Prespës mos preket nga vatra e zjarrit. Nëse era do ta favorizojë është e mundur që zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri që zjarri mos depërtojë në malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj.
Top Channel