Kandidati i pavarur për president Robert F Kennedy Jr ka postuar një video në mediat sociale në të cilën ai pranon se hodhi një këlysh ariu të ngordhur në Parkun Qendror të Nju Jorkut në vitin 2014.
Në videon e postuar në llogarinë e tij X të dielën, ai shihet me komedianen kontroverse amerikane Roseanne Barr teksa përshkruan rrethana të çuditshme që çuan në një incident që mbeti mister për 10 vite me radhë.
Kennedy tha se një grua e goditi dhe vrau ariun me makinën e saj, ndërkohë që ai po lëvizte pas saj jashtë qytetit. Ai e vendosi atë në furgonin e tij me qëllimin për të hequr lëkurën e tij që ishte në gjendje shumë të mirë.
“Unë do t’i merrja lëkurën ariut, ishte në gjendje shumë të mirë dhe do ta vendosja mishin në frigoriferin tim,” thotë ai.
Nju Jorku i lejon njerëzit të marrin arinjtë e vrarë në rrugë, por ligji përcakton që një person duhet të njoftojë zbatimin e ligjit ose Departamentin e Ruajtjes së Mjedisit të shtetit për ta bërë këtë gjë.
Kennedy nuk duket se e ka bërë këtë. Ai tregon se pas incidentit shkoi në një takim me miqtë e tij dhe pasi përfundoi takimin me ta duhej të shkonte në aeroport.
“Në fund të darkës, ishte vonë dhe kuptova se nuk mund të shkoja në shtëpi,” thotë Kennedy. “Më duhej të shkoja në aeroport dhe ariu ishte në makinën time dhe nuk doja ta lija ariun në makinën time sepse do të ishte keq”.
Pikërisht atëherë, thotë ai, i ka shkuar në mendje se kishte një biçikletë të vjetër në makinë. Ai organizoi një aksident, ku u duk sikur ariu u vra nga përplasja me biçikletë në Central Park.
“Të nesërmen… ishte në çdo stacion televiziv. Ishte një faqe e parë e çdo gazete dhe unë ndeza televizorin dhe kishte si një shirit të verdhë dhe 20 makina policie, kishte helikopterë që fluturonin, dhe unë thashë ‘Oh zot, çfarë bëra?’
Më pas ai vë në dukje se një person nga The New Yorker e kishte telefonuar dhe e kishte pyetur nëse ai ishte i përfshirë në hedhjen e trupit të ariut.
Kufoma e ariut u zbulua nga një grua që shëtiste qenin e saj në parkun e famshëm të qytetit të Nju Jorkut, ku arinjtë janë një pamje e pazakontë, sipas një historie të vitit 2014 të shkruar nga New York Times . Ariu i ngordhur u gjet nën disa shkurre dhe së bashku me një biçikletë të braktisur.
Skuadra e Hetimit të Mizorisë së Kafshëve të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut po shqyrtonte se si ariu ngordhi dhe Departamenti i Ruajtjes së Mjedisit të Nju Jorkut kishte arritur në përfundimin se kafsha ishte vrarë në një “përplasje me automjete”, jo një aksident me biçikletë.
Artikulli i New York Times vuri në dukje se sa i çuditshëm ishte incidenti i vitit 2014 . Shumë pyetje mbeten pa përgjigje: Si përfundoi ariu në Central Park? A u luajt një lojë e pisët? A vdiq ai në park? Apo u hodh atje?”
Rrëfimi i çuditshëm i Kennedy vjen ndërsa fushata e tij për president në vitin 2024 duket se po përballet me vështirësi. Me nënpresidenten Kamala Harris që hyri në garë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi vendimin e tij për t’u larguar, sondazhet tregojnë se mbështetja e Kennedy është zvogëluar në një shifër.
Një pasardhës i familjes më të famshme politike të Amerikës, Kennedy ka luftuar për të mbledhur para, por ka ngadalësuar fushatën e tij javët e fundit. Ka pasur spekulimet se politikani amerikan mund të tërhiqet, megjithëse ai ka këmbëngulur se nuk do të dalë nga gara.
Top Channel