Pas 24 orësh, përfundon me sukses operacioni për binjaket e bashkuara në kokë

19/09/2026 08:17

Ka përfunduar me sukses një ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse kirurgjikale në një spital pediatrik në St. Louis, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mediat e huaja shkruajnë se mjekët kanë bërë të mundur ndarjen e dy binjake 2-vjeçare të bashkuara në kokë. Është fjala për vajzat, Hiyab dhe Wuhbto, të cilat kishin lindur në Etiopi dhe ishin të bashkuara në pjesën e kafkës.

“People” shkruan se operacioni zgjati më shumë se 24 orë dhe në të morën pjesë mbi 60 profesionistë të fushave të ndryshme, përfshirë neurokirurgë pediatrikë, kirurgë plastikë dhe specialistë të kujdesit intensiv.

Procedura konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rralla dhe më të ndërlikuara në kirurgjinë pediatrike.

Dy motrat tani po rikuperohen dhe po u nënshtrohen rehabilitimit e kujdesit intensiv. Njëra prej tyre, Wuhbto, ka kryer tashmë me sukses një tjetër ndërhyrje për rindërtimin e kafkës, ndërsa Hiyab pritet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë më vonë gjatë vjeshtës.

Binjaket kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Etiopia në vitin 2025, pak para se të mbushnin një vjeç. Sipas spitalit, binjakët e bashkuar në kokë janë një fenomen jashtëzakonisht i rrallë, që ndodh afërsisht një herë në 2.5 milionë lindje.

Top Channel