“Shqiptarët ndërtuan Greqinë dhe tani u mohojmë pensionin”: Pyetja drejtuar zëdhënësit të qeverisë – A do të ndryshojë ligji ekzistues?

04/11/2026 21:35

Në qendër të debatit mediatik është rikthyer çështja e të drejtave të pensionit për emigrantët që kanë punuar për dekada në Greqi pas një ndërhyrjeje publike të gazetarit (të majtë)Christos Avramidis, i cili me postimet e tij ne mediat sociale përshkruan pyetjet e përsëritura që i ka drejtuar zëdhënësit të qeverisë, Pavlos Marinakis, për këtë çështje.

Në qendër të problemit është kushti (I vendoszr me të ashtuquajturin ligji Katrugkalos) i 40 viteve qëndrimi të ligjshëm dhe të përhershëm në Greqi për të përfituar të plotë pensionin kombëtar. Sipas gazetarit, ky kusht krijon vështirësi të mëdha për njerëzit që u vendosën në Greqi gjatë viteve ’90.

Christos Avramidis thekson se mijëra emigrantë kanë punuar për shumë vite në sektorë të vështirë të ekonomisë greke, duke kontribuar, ndër të tjera, edhe në ndërtimin e veprave dhe infrastrukturës për Lojërat Olimpike të Athinës të vitit 2004. Sipas tij, shumë prej tyre kanë punuar në kushte të rënda, ndërsa në kantieret e ndërtimit kanë ndodhur edhe aksidente fatale në punë.

Problemi, sipas ndërhyrjes së tij, qëndron në faktin se shumë emigrantë nuk kishin mundësi të merrnin status të ligjshëm qëndrimi menjëherë pas mbërritjes në Greqi.Në këtë mënyrë, edhe pse mund të kenë punuar për dekada në vend, sot e kanë të vështirë të plotësojnë vitet e kërkuara të qëndrimit të ligjshëm për të marrë të plotë pensionin kombëtar.

Gazetari argumenton se këtu ekziston një kontradiktë e sistemit: sot u kërkohet këtyre njerëzve të provojnë një periudhë qëndrimi të ligjshëm, ndërkohë që, sipas tij, vetë shteti grek nuk ua kishte dhënë në atë kohë mundësinë që ta siguronin këtë status.

Katër pyetjet drejtuar Pavlos Marinakis dhe përgjigjja e Ministrisë

Sipas asaj që përshkruan Christos Avramidis, çështja nisi kur ai i drejtoi zëdhënësit të qeverisë një pyetje konkrete për mundësinë e ndryshimit të kuadrit aktual të pensioneve:

“A ka ndërmend qeveria ta ndryshojë këtë rregullim dhe ta shkëpusë shumën e pensionit kombëtar nga vitet e qëndrimit?”

Sipas gazetarit, Pavlos Marinakis pranoi kontributin e emigrantëve në shoqërinë dhe ekonominë greke dhe tha se pyetja ishte konkrete dhe se do t’i kërkonte përgjigje ministrisë përkatëse.Megjithatë, përgjigjja nuk u dha menjëherë.

Më 15 tetor gazetari e ngriti sërish çështjen. Marinakis i bëri të ditur se ende nuk kishte marrë përgjigje nga ministria. Pasoi një pyetje e tretë në një tjetër konferencë informimi të gazetarëve politikë, ku zëdhënësi i qeverisë tha se me gjasë do të kishte një përgjigje të enjten e ardhshme.

Në konferencën e katërt u paraqit më në fund qëndrimi i Ministrisë së Punës.Por, sipas Christos Avramidis, përgjigjja nuk iu përgjigj thelbit të pyetjes. Ministria thjesht paraqiti çfarë parashikon legjislacioni aktual dhe shpjegoi rregullimin e vitit 2022 për disa kategori të veçanta të personave me origjinë greke.

Gazetari thekson se ai vetë e kishte përmendur këtë rregullim që në pyetjen e parë, pikërisht për të treguar se ekziston një trajtim i ndryshëm mes kategorive të ndryshme. Për këtë arsye ai pyeti sërish: nëse qeveria e njohu problemin për personat me origjinë greke, përse nuk shqyrton një zgjidhje të ngjashme edhe për emigrantët e tjerë?

Sipas postimit të tij, Pavlos Marinakis u përgjigj se mund t’i dërgonte një pyetje të re Ministrisë së Punës.Gazetari nënvizon se, edhe pas katër ndërhyrjeve, ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë nëse qeveria synon apo jo të ndryshojë kushtin konkret të pensionit,ndërsa e ka quajtur ligjin përkatës si raist dhe të padrejtë.

Rregullimi i posaçëm i vitit 2022

Argumenti kryesor lidhet me trajtimin e ndryshëm të disa kategorive të të siguruarve.Në vitin 2022 u miratua një rregullim i posaçëm për homogjenët nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, me një mënyrë më të favorshme të llogaritjes së pensionit kombëtar.

Për këtë kategori, periudha e kërkuar e qëndrimit u përcaktua fillimisht në 30 vjet, me rritje graduale deri në 40 vjet në vitin 2032.Në të kundërt, për të gjithë të siguruarit e tjerë vazhdon të zbatohet rregulli i përgjithshëm i 40 viteve të qëndrimit të ligjshëm dhe të përhershëm në Greqi, në mënyrë që të marrin të plotë pensionin kombëtar, me kusht që të plotësojnë edhe kërkesat e tjera të pensionimit.Për çdo vit që mungon nga 40-vjeçari, parashikohet një ulje prej 1/40 të shumës së pensionit kombëtar.

Kërkesa për të drejta të barabarta pensioni

Pikërisht këtë dallim kërkohet që qeveria ta rishikojë. Sipas gazetarit, problemi prek edhe emigrantët që janë vendosur në Greqi prej shumë dekadash, por që në vitet e para të qëndrimit të tyre nuk kishin mundësi reale të siguronin menjëherë një status të ligjshëm.Në ndërhyrjen e tij përmendet gjithashtu Nisma e Emigrantëve Shqiptarë dhe Solidarëve, e cila ka nisur një fushatë për mbledhjen e firmave me kërkesë për të drejta të barabarta pensioni për të gjithë emigrantët.

Nisma kërkon:që shuma e pensionit kombëtar të mos ulet për shkak të viteve të qëndrimit dhe që vitet e sigurimit të realizuara në vendet e origjinës të merren parasysh në mënyrë më të drejtë.Christos Avramidis u bën thirrje qytetarëve ta mbështesin këtë përpjekje, duke theksuar se bëhet fjalë për njerëz që kanë punuar për dekada në ndërtim, kantierë, pastrim, bujqësi, kujdes për të moshuarit dhe në shumë punë të tjera të vështira.

Sipas tij, kontributi i emigrantëve shqiptarë në ekonominë dhe shoqërinë greke ka qenë i madh dhe çështja sot është nëse ky kontribut do të reflektohet edhe në mënyrën se si trajtohen në pension.

Top Channel