Prej shtatorit të vitit të kaluar, policia e shtetit ka ndërmarrë 3 operacione kombëtare për të larguar shpërndarësit e drogës nga ambientet me të rinj dhe oborret e shkollave.
Por pavarësisht kësaj shifrat e këtij viti tregojnë se ky fenomen është ende prezent. Në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti policia e Tiranës ka evidentuar 610 autorë të shpërndarjes së lëndëve narkotike mes tyre 414 po hetohen në gjendje të lirë pasi rezulton se janë konsumatorë të drogës.
Shifrat janë pothuajse në një trend me një vit më parë ku për këtë vepër penale u evidentuan 1542 persona.
Shpërndarësit e drograve që janë dhe konsumatorë janë në objektiv të grupeve kriminale pasi duke u dhënë lëndë narkotike i mbajnë ta varur por edhe sepse duke qenë përdorues ata nuk dënohen duke u rikthyer sërish në rrugë duke shpërndarë drogë.
Në kryeqytet ekspertët po ngrënë alarmin për përdorimin e substancave të forta narkotike nga mosha të vogla. Në repartin e toksikologjisë po paraqiten gjithmonë e më shumë adoleshente me varësi ndaj kokainës dhe heroinës.
Kokaina duhet se është droga që kryeson në rrjetin e konsumatorëve në kryeqytet. Vetëm këtë 6 mujor policia e Tiranës ka sekuestruar 13.5 kg kokainë në rastet kur ka goditur raste të shpërndarësve. Ajo vjen në kryeqytet kryesisht nga Durrësi ose Fieri.
Ndërsa kanabis përfshi edhe atë laboratorik është kapur rreth 76 kilogram. Në sasi më të pakët ka qenë heroina dhe drograt sintetike.
Top Channel