Kuvendi ka vendosur të fusë nesër (e enjte) në rend të ditës një projektdeklaratë për marrëdhëniet me Greqinë, ku pika më e rëndësishme e saj është kërkesa për Athinën që të heqë ligjin e luftës.
Projektdeklarata e propozuar nga PDIU e Shpëtim Idrizit ka marrë dakordësinë në parim të socialistëve dhe demokratëve për ta votuar, por në radhët e këtyre të fundit, ka pasur edhe zëra kundër.
Top Channel ka mësuar se në mbledhjen me dyer të mbyllura të zhvilluar ditën e sotme (e mërkurë) kanë qenë tre deputetët Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Bujar Leskaj të cilët kanë propozuar që projektdeklarata të mos marrë votën pro të demokratëve.
“Nuk duhet ta votojmë këtë projektdeklaratë, pasi në opinion mund të konsiderohemi si shtojcë e qeverisë”, mësohet të kenë thënë tre deputetët.
Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka mbrojtur qëndrimin që projektdeklarata duhet të marrë votën pro të demokratëve pasi kjo është një çështje kombëtare.
I kontaktuar nga Top Channel, Tritan Shehu thotë se problemin e ligjit të luftës e kishte ezauruar Traktati i Miqësisë mes dy vendeve, që sipas demokratit, u la të shfuqizohej nga kryeministri Rama që nuk kërkoi rinovimin e dokumentit.
“Unë kam qenë ministër i Jashtëm dhe gjithmonë e kam konsideruar atë çështje një atavizëm pa sens. Sidomos mbas hyrjes në fuqi të Traktatit të Miqësisë, që është akti më i rëndësishëm në historinë e dy vendeve tona dhe që kishte efekte mbi çdo akt tjetër, përfshi dhe atë të ashtu quajtur ligj lufte. Fatkeqësisht aktualisht ai traktat kaq i rëndësishëm është shfuqizuar, se ka kaluar afatet e tij. Rama e la të shfuqizohet atë akt thelbësor pa kërkuar rinovimin apo ripërsëritjen e tij, siç kërkohet në nenin 20. Duke krijuar kështu qëllimisht vakum, probleme artificiale, e dëmtuar marrëdhëniet strategjike Shqipëri- Greqi”, tha Shehu.
Sipas tij “Për ne ai ligj lufte nuk ekziston. Në qoftë se dikush në Athinë e mban në ndonjë sirtar, është çështje e tij dhe e atyre që janë kompetent për të deklaruar mos ekzistencën. Ne nuk ka pse të negociojmë e as të bëjmë kompromise për diçka që është zero. Ky është qëndrimi im në përgjithësi, pra jam dakord me çdo thirrje në këtë drejtim edhe ndaj ndonjërit që e quan aktiv atë në Greqi. Në lidhje me deklaratën unë kisha vërejtje në çështjet e referimit të saj gjate argumentimit dhe jo në esencë”.
Ndërsa Luan Baçi kishte një tjetër shpjegim për qëndrimin e tij.
“Rezolutat kur hartohen dhe duhet të votohen nga të dyja palët, duhet të hartohen nga të dyja palët, jo njëra palë e harton si do vet dhe ne duhet te votojmë, rezolutën që harton mazhoranca. Pra duhet të hartohet në mënyrë të përbashkët dhe të kalojë në komisionin përkatës, të miratohet nga të dy palët paraprakisht dhe patjetër që votohet nga të dy palët! Kjo besoj është e drejta, pra kam kontestuar mënyrën se si procedohet dhe që deputetët duhet të bëhen me dije, paraprakisht për tekstin dhe të dakordohen me të dhe pastaj të votohet. Pra jam dakord dhe do ta votoj, por mënyra si procedon mazhoranca nuk është e duhura!”.
Top Channel