Në Gjirokastër është çelur libri i ngushëllimeve për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Ismail Kadare. Në banesën muze të Ismail Kadaresë vizitat u shtuan që prej fillimit të javës. Të shumtë janë ata që kanë vendosur një koment në librin memorje të ngushëllimeve.
Nënshkruesit e komenteve janë nga vende të ndryshme të botës, lexues të tij por edhe bashkëqytetarë. Së shpejti bashkia pritet ti dorëzojë këshillit bashkiak propozimin për ngritjen e një monumenti të shkrimtarit në qytetin e lindjes.
” Jam e përlotur dhe e trishtuar nga kjo humbje. Ai ishte një hero i letrave për Shqipërinë dhe botën. Unë kam lexuar disa nga librat e tij dhe isha sot pjesë e aktiviteteve në Gjirokastër. Trashëgimia e tij do të jetojë përgjithmonë”, shprehet një vizitore.
“Ne gjirokastritët përkulemi me mirënjohje para birit të këtij qyteti që ofroi kaq shumë. Iku Ismaili por ngeli Kadareja, në rrugët në sokakët, në shtëpinë muze. Kadare do ngelet, do ngelet vepra e tij, do ngelet ajo që ka shkruar për Gjirokastrën tonë. Unë besoj se do marr miratimin shumë shpejt të këshillit bashkiak, mbase për të sjellë një monument që duhet të zerë vend në Gjirokastër”, thotë kryetari i Bashkisë.
Ka nga ata që e njohën Kadarenë përmes librave dhe të tjerë që e zbuluan përmes kritikës letrare e publicistikës. Romanet “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” apo ” Breznitë e Hankonatëve”, rrëfime identitare me në qendër Gjirokastrën dhe jetën e çuditshme brenda korracës së gurit u bënë pjesë e ndërgjegjes dhe krenarisë personale të çdo bashkëqytetari të tij.
“Sokaku i të Marrëve”, qafa e pazarit, kutia e Kako Pinos, shtëpia e doktor Vasilit apo plaka e Kokobobove veshin me karakter kryeveprën autobiografike të një fëmijërie plot fantazi të Kadaresë në Gjirokastër.
Qyteti e ka nderuar Ismail Kadarenë me disa tituj por do ti detyrohet përherë, fëmijës ëndërrimtar që vëzhgonte avionët nga një dritare e lagjes Palorto, e më pas mendimtarit të rrallë për pasaportën që i dha Gjirokastrës e Shqipërisë për ti bërë të njohura në të gjithë botën.
Top Channel