Fotografia ndërkombëtare në Shqipëri, festivali sjell ekspozita dhe aktivitete me artistë nga 50 vende të botës

04/10/2026 20:04

Fotografia ndërkombëtare është bërë bashkë në Shqipëri në edicionin e 17-të të “Fokus Award Albania”.

Nga Shkodra në Tiranë dhe më pas në Fier, festivali ka sjellë ekspozita dhe aktivitete me pjesëmarrjen e fotografëve, artistëve dhe profesionistëve të imazhit nga vende të ndryshme të botës.

Tema e këtij edicioni ishte “Frymë/Breath”, një koncept që e çon fotografinë përtej frymëmarrjes si akt biologjik, duke e lidhur atë me jetën, natyrën, lirinë dhe brishtësinë njerëzore.

Në këtë edicion kanë aplikuar 560 artistë nga 52 vende të botës, ndërsa punimet janë vlerësuar nga një juri ndërkombëtare.

Në Fier, aktivitetet u përmbyllën me ekspozitat në Galerinë e Artit dhe në Teatrin “Bylis”, ku u prezantuan edhe punimet e 20 fotografëve të njohur italianë.

Përmes projektit të ri “Albania in Fokus”, festivali synon të promovojë edhe vlerat turistike dhe kulturore të Shqipërisë. Dhjetë fotografë shqiptarë dhe të huaj do të dokumentojnë Shkodrën, Krujën, Tiranën, Durrësin dhe Fierin.

Fotot e realizuara gjatë këtij turi do të prezantohen në një ekspozitë të posaçme në Puglia, në pranverën e vitit të ardhshëm.

Prej vitit 2006, “Fokus Award Albania” është kthyer në një platformë të rëndësishme për fotografinë bashkëkohore, duke krijuar ura bashkëpunimi mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë

Top Channel