Mediat ruse celebronin sot atë që quanin ‘performancë aksidentale’ të Biden në debatin televiziv presidencial, ndërsa Kremlini tha se Putin ishte ‘tepër i zënë për ta ndjekur’.
E përditshmja britanike The Sun shkruante se presidenti aktual amerikan 81 vjeçar, mezi arriti të çonte deri në fund përballjen verbale 90 minutëshe me 78 vjeçarin Trump, me këtë të fundit që duket se doli më i avantazhuar.
Kjo do të thotë se Putin do të mund të diktojë kushtet e tij për konfliktin brutal në Ukrainë teksa Perëndimi u shfaq pa një lider serioz, sipas The Sun.
Kremlini mundohej të mos i jepte rëndësi debatit që ka pushtuar mediat perëndimore, duke thënë se diktatori rus ishte tepër i zënë për të ndjekur përballjen.
Zëdhënësi i Moskës, Dmitry Peskov tha: “Mos mendoni se presidenti rus vendos zilen e orës për të ndjekur debatin presidencial në atë kohë, ky nuk ishte një event në axhendën e tij”.
Peskov shtonte më tej: “Ne kemi shumë çështje që janë të rëndësishme për vendin tonë, dhe presidenti me këto gjëra merret. Debatet në Shtetet e Bashkuara nuk janë nga pikat më të larta të axhendës së tij “.
“Por gjithsesi kemi ndjekur raportimet e mediave për debatet dhe do të thelloheni në detaje. Kjo është një çështje e brendshme e SHBA”.
Shumë rusë besojnë se Donald Trump do të jetë një president më i favorshëm për vendin e tyre, duke ndaluar dërgesat e municioneve të Perëndimit për Kievin.
Kjo shihet nga gëzimi i propagandistëve të Putin për performancën e dobët të Biden.
Valentin Bogdanov i rrjetit shtetëror rus në anglisht RT, tha: “Goja gjysmë e hapur, qepallat që nuk përplaseshin, dhe një fytyrë pa shprehje — ky ishte Joe Biden para audiencës së miliona njerëzve”.
“Këtyre i shtohej dhe dhe zëri i krisur, fjalët e gëlltitura dhe ngatërresat e vazhdueshme të shprehjes”.
“Edhe më besnikët e CNN nuk kishin si ta justifikonin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk humbi ndaj Trump por ndaj vetes”.
Rrjeti tjetër rrjet pro-Kremlin, Pool No. 3 vinte në lojë Biden duke thënë se “kështu e pëson kur del në publik pa asistentë për një orë e gjysmë, e kuptojnë të gjithë cili je në të vërtetë”.
Rrjeti vazhdonte më tej:
“E thënë thjesht, SHBA mësoi se mbreti i tyre është lakuriq, prandaj dëgjojmë shpesh ulërima në kënetën e Uashingtonit”.
Analisti politik rus Alexander Gorbunov vinte në lojë sistemin politik të SHBA duke e krahasuar me diktaturën në Rusi dhe lidershipin e fortë.
“Të gjithë e kuptojnë se një konkurrent ka humbur prezencën e tij, ndërsa i dyti prezantohet vetëm për gallatë. Teorikisht të dy ata duhet të ishin eliminuar në primare, si për arsye shëndetsore dhe për skandalet e tyre. Por në praktikë asnjë nuk mund ta thotë hapur se ata nuk duhet të ulen në Shtëpinë e Bardhë”. /TheSun/
Top Channel