Serhou Guirassy, një prej sulmuesve më të lakuar në merkaton e kësaj vere është shumë pranë firmës me Borussia Dortmund.
Lajmin e konfirmojnë pikërisht mediet gjermane që kanë bërë me dije se sulmuesi 28-vjeçar ka vendosur për të ardhmen e tij dhe dëshiron të bashkohet me “verdhezinjtë”.
Nënkampionët e Europës kanë rënë dakord për të paguar klauzolën e lirimit, me Dortmund që është ofruar të paguajë plotë 17.5 milionë euro, ndërsa detajet personale te sulmuesit ende nuk janë bërë me dije.
Guirassy zhvilloi një sezon fantastik me Stuttgart në kampionatin e fundit, me 28 ndeshje dhe 28 gola në Bundesliga pa harruar dy golat në dy ndeshjet e Kupës, me një mesatare të lartë, 1 gol për ndeshje.
Ish-lojtari i Rennes kaloi në Stuttgart fillimisht në formë huazimi në shtatorin e vitit 2022, teksa pas një viti drejtuesit e klubit gjerman u bindën nga cilësitë e tij dhe shpenzuan 9 milionë euro për kartonin e sulmuesit në korrikun e vitit të kaluar.
Stuttgart provoi ta mbante në organikë lojtarin, me faktin që sezonin tjetër do të jenë edhe pjesë e Champions League-s, por ishte e pamundur, teksa tani, Dortmund do të jetë shtëpia e re e Guirassy, lojtar për të cilin u interesua shumë Milan dhe disa klube të Premier League./SuperSport
Top Channel