Kalldrëmet mbulohen me qilima në Gjirokastër, organizohet “Qilim Fest” e shoqëruar me muzikë dhe polifoni

22/05/2024 15:26

Në Gjirokastër është mbajtur eventi “Qilim Fest” që erdhi në edicionin e tij të tretë, një spektakël qilimash dhe motivesh që kanë mbuluar kalldrëmet, demonstrime publike të traditës së punës në tezgjah, shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe të ftuar nga treva të tjera. 

“Ishte një kënaqësi e madhe. Unë kam ardhur në këto skena me vite dhe e preferojmë shumë Gjirokastrën. I falënderoj të gjithë që na pritën bashkinë, gjirokastritët e turistët.”

Disa prej qilimave të ekspozuar në pazar janë realizuar që prej fillim shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa qyteti.

Realizimi i punëve në tezgjah sfidohet gjatë dekadave të fundit prej mungesës së lëndës së parë, mungesës së të rejave që merren me këtë profesion dhe konkurrencës prej produkteve të fabrikuara.

“Dyqani im është zgjedhur si një pikë për hedhjen e modeleve të qilimave dhe nxënës të qendrës kulturore vijnë dhe mësojnë si bëhen qilimat. E kam thënë dhe më parë, leshi që është lëndë e parë për qilimat është i vështirë për ti gjetur megjithatë me përpjekje ja dalim. Modelin jam përpjekur ta lidh me rrugët e qytetit. Kjo është një traditë që ne e kemi gjetur dhe mundohemi pak a shumë që ta trashëgojmë atë.”

Pjesë e eventit u bënë qindra vizitorë që e eksplorojnë Gjirokastrën në fundjavë por edhe grupe të huajsh.

Pazari dhe kalaja më kanë bërë shumë përshtypje se është shumë mirë i organizuar. Erdhëm sot paradite por kam qenë edhe para një muaji dhe nesër do ikim.

20% më shumë vizitorë do të ketë këtë sezon Gjirokastra ndërsa prurjet e eventeve me karakter tematik si ky i shpalosjes së qilimave përveçse përmirësojnë ofertën tërheqin vëmendjen për mbrojtjen e traditës lokale dhe të produktit turistik vendas.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA