“Artist i futbollit”, Klopp përshëndetet me Alcantaran: Dëmtimet nuk e lejuan të shprehej!

17/05/2024 18:54

Aventura e Thiago Alcantarës me Liverpool do të mbyllet në fundin e këtij sezoni teksa klubi vendosi të mos rinovojë kontratën e spanjollit.

Mesfushori u transferua te të kuqtë në vitin 2020 nga radhët e Bayern Munich, teksa problemet fizike nuk e lejuan 33-vjeçarin të shprehte formën e tij më të mirë në Premier League.

Pikërisht, këtë mangësi të Alcantarës e theksoi edhe trajneri Jurgen Klopp në konferencë. Gjermani u shpreh se Alcantara është një “artist” i futbollit, por që dëmtimet e penalizuan së tepërmi.

“Që para se të vija te Liverpool mendoja se nëse dikush e dasuron futbollin, atëherë do të duhej të pëlqente me patjetër edhe Thiago Alcantarën. Është shumë i zoti në aspektin teknik, një talent që mund të luante në çdo skuadër të botës.

Për mua ishte një privilegj të bashkëpunoja me të te Liverpool. E njihja mirë edhe para se të na bashkohej për atë që kishte bërë te Barcelona dhe Bayern Munich. Që kur na u bashkua dhe e pashë nga afër thashë “Uau”. Na ndihmoi të përmirësosheshim si skuadër, por dëmtimet ndikuan për keq si te ai ashtu edhe te ne.

Megjithatë, kur e kishim në dispozicion tregonte gjithnjë një nivel të jashtëzakonshëm. Unë kështu do ta kujtoj Thiagon. Tani së bashku me familjen e tij do të nisë një rrugëtim të ri dhe unë vetëm mund t’i uroj më të mirën. Ai është “artist” i futbollit dhe do të “pikturojë” gjithnjë vetëm imazhe të bukura”, u shpreh Klopp./SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA