Zyrtarë amerikanë pohuan se Ukraina ka nisur të përdorë raketa balistike me rreze të gjatë veprimi, të cilat Shtetet e Bashkuara ia kanë dorëzuar fshehurazi më herët për të përballur ofensivën ruse.
Armët janë pjesë e një pakete ndihme prej 300 milionë dollarësh, e cila ishte aprovuar në muajin mars nga presidenti Joe Biden, e në terren kanë mbërritur më herët këtë muaj. Ato, sipas raporteve në mediat amerikane, janë përdorur të paktën një herë tani për të goditur objektiva ruse në Krime. Bëhët fjalë për raketa të njohura si ATACMS.
Zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, konfirmoi para gazetarëve nisjen e tyre, pohim ky që erdhi pas lajmeve në shtypin vendas se këto raketa ishin përdorur javën e kaluar për ta bombarduar një fushë ajrore ushtarake të Rusisë në Gadishullin që Moska e aneksoi jashtëligjshëm më 2014, si dhe forcat ruse në një pjesë tjetër të pushtuar të Ukrainës. ATACMS mund ta godasin cakun në largësi të mëdha – deri në 300 kilometra larg – krahasuar me raketat me rreze veprimi prej 165 kilometrash që SHBA-ja ia dha Ukrainës në tetor.
Ato nuk janë pjesë e paketës së ndihmës që Kongresi e aprovoi dhe presidenti Biden e nënshkroi më 24 prill. “Ne nuk njoftuam për këtë menjëherë, në mënyrë që ta ruanim sigurinë e operacioneve të Ukrainës, me kërkesën e vetë palës ukrainase”, sqaroi Patel. Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, pojoi se “një numër i madh” i raketave i është dërguar Ukrainës, duke shtuar se “ne do t’iu dërgojmë më shumë”.
Top Channel