I ati i Blerina Metës, e cila dyshohet si e përfshirë në vrasjen e bashkëshortit, është shfaqur në gjendje të rënduar emocionale pas ngjarjes.
Ai kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa tregon se vajza nuk është në gjendje të flasë.
“Ne jemi bërë me lujt mendsh. Unë nuk e di si jam gjallë. Veç një fjalë kam thënë, të zbardhet e vërteta e kësaj ngjarje. Nuk kërkojmë asgjë. Ato le të rrinë në burg të përjetshëm nëse e meritojnë. Nëse nuk e meritojnë, ta vendosin organet kompetente. Unë nuk e di si jam gjallë. Unë e kam kaluar një situatë të vështirë. Tani është më e rëndë. Unë as vajza nuk jemi në gjendje të flasim”.
Hetimet për vrasjen e Pëllumb Metës:
Nga veprimet proceduriale të deritanishme, rezulton se vrasësi i dyshuar është Hysen Meta, djali i madh i Pëllumbit. E vetmja gjë ende e paqartë për grupin hetimor mbetet motivi kryesor i krimit. Gjithsesi dhuna në familje, qoftë dhe vetëm ajo psikologjike, e shoqëruar me episode dhune fizike të herëpashershme ndaj nënës, siç dëshmohet vetëm nga Blerina dhe vajza e saj e arrestuar, konsiderohet motiv që ka nxitur frymën e urrejtjes ndaj babait duke çuar në planifikimin e vrasjes së tij.
Pesha e përgjegjësisë nga dëshmitë dhe provat e deritanishme bie mbi Hysen Metën dhe motrën e tij Hygerta. Të dy kanë qenë të pranishëm në krim, por roli i nënës së tyre Blerina Metës, konsiderohet kyç në këtë ngjarje kriminale.
Vrasja e Pëllumb Metës ka ndodhur në datën 10 shkurt, dhe djali i madh Hyseni, pas tre ditësh ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij. Pëllumbi u vra në një dhomë të shtëpisë, e më pas u gropos në kasollen e lopës që ndodhej ngjitur me shtëpinë.
Top Channel