Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në ceremoninë e ndarjes së certifikatave dhe dhuratave për nxënësit fitues të olimpiadave.
Kryeministri u shpreh se këta nxënës janë heronj që e frymëzojnë në punën e tij të përditshëm, duke i frymëzuar të mos ndalen së ëndërruari për të arritur majat e suksesit.
Po ashtu Rama u shpreh se testi i PISA 2025 ishte një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë dhe jo të lehtë, me të përpjeta dhe të tatëpjeta për të transformuar sistemin arsimor, infrastrukturën, përmbajtjen e mësimit në shkollë dhe cilësinë e mësimit.
Rama:
Ja ku jeni këtu të gjithë. Për t’ju thënë disa fjalë mirënjohjeje dhe respekti. Natyrisht vlerësimi dhe pastaj për t’ju thënë jo vetëm një certifikatë, por edhe një dhuratë, se nuk ka kuptim të ikni vetëm me një certifikatë. Na takon t’ju përcjellim edhe me një dhuratë që shpresoj t’ju pëlqejë. Është shumë pak për atë që ju meritoni, por me ato që na u gjendën, menduam se e kishim këtë detyrim ndaj jush. Patjetër që nuk është keq që kjo ndodh sot, pak ditë pasi ne kemi marrë një lajm që mua më ka pëlqyer shumë. Nuk janë të shumta rastet kur në detyrën time të jepet mundësia të ndjesh vërtet kënaqësi dhe të kalojë 2 ditë dhe ti të vazhdosh të shijosh atë që të jep kënaqësi dhe ky është një nga këto raste. Testi i PISA 2025, i cili për mua personalisht është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe të tatëpjeta për të transformuar sistemin arsimor, infrastrukturën, përmbajtjen e mësimit në shkollë, cilësinë e mësimit.
Në këtë punë të gjatë na u desh ta nisim nga qetësia e tyre psikologjike që të jenë në vendin e tyre të punës në bazë të meritës dhe të mos lëvizin nga vendi i punës për arsye që nuk lidhen me profesionin dhe duke rritur kontributin e shtetit te pagat. Nga ana tjetër, për të krijuar kushte që mësuesit të vazhdojnë një proces trajnimesh, si dhe për të rritur cilësinë e drejtimit të shkollave përmes një institucioni, Shkollës së Drejtorëve, ku drejtuesit e shkollave shkojnë, mësojnë, certifikohen dhe kthehen në punë me dije të reja, ose nuk kthehen nëse nuk certifikohen, dhe për të krijuar një atmosferë më pozitive në shkolla.
Besoj se është një kënaqësi shumë legjitime e një rezultati që padiskutim është meritë e nxënësve, por nxënësit ju e dini shumë mirë mund të jenë shumë të mirë, por nëse gjithçka rrotull tyre nuk ua bën më të lehtë përpjekjen, rezultatet nuk janë domosdo rezultatet në maksimumin e tyre. Janë nxënësit e mirë, shumë të mirë dhe yjet që jeni ju. Yjet janë pak, se përndryshe nuk do ishin yje, por për hir të së vërtetës nuk janë pak nëse i numërojmë duke marrë parasysh ata ndër ju që janë fitues edhe olimpiadash ndërkombëtare.
Nisa nga një nxënës që u bë i famshëm për shkak të rezultatit në një olimpiadë botërore të matematikës, i thashë ministres të bëjmë diçka për këtë djalin, më tha ka edhe të tjerë. Kjo padiskutim është fantastike, dhe padiskutim është tregues i rëndësishëm i rritjes në përgjithësi të nivelit të nxënies, sepse është rritur edhe niveli i mësimdhënies.
Ju jeni fëmijë që vini nga shkolla të ndryshme, nga familje me status të ndryshëm social, territore të ndryshme. Dhe mes jush ka fëmijë që kanë probleme në familje, që kanë prindër të cilët nuk janë në gjendje të mirë ekonomike, që kanë kushte jo të lehta, kanë të gjitha justifikimet e pranueshme nëse nuk duan të mësojnë ose nuk kanë rezultate shumë të mira. Mund t’i referohen vështirësive dhe të ngrenë duart lart.
Edhe në këtë aspekt ju jeni të jashtëzakonshëm në forcën e shembullit tuaj, ju jeni shembulli se si e gjithë Shqipëria duhet të mendojë, që pavarësisht vështirësive, prapambetjes në disa aspekte ende objektive për shkak të historisë, të guxojë të synojë dhe të ngjitet sa më lart dhe sa më shpejt. Ju bëni këtë, forca e shembullit tuaj është heroike, sepse të jesh hero nuk do të thotë të japësh jetën në luftë me një armik thjesht dhe kaq, që patjetër është një akt sublim, por të jesh hero do të thotë të kapërcesh të gjitha pengesat që të tjerë në të njëjtat kushte nuk do guxonin t’i mendonin dhe të rrezatosh me shembullin tënd te të tjerët.
Ju jeni shumë të mirë dhe të shkëlqyer për të qenë idhuj të klasës, ju vuani nga zërat dhe fjalët që ju thuhen, por fakti që ju jeni këtu tregon që ju nuk dëgjoni fare nga ai vesh dhe është mirë mos të dëgjoni. Sa më shumë sukses, aq më të fortë do jenë zërat që do përpiqen t’ju thonë se suksesi juaj nuk është i vërtetë, se ju jeni të tillë ose atillë, vlerësimi është i pamerituar. Mos harroni, jemi të gjithë shqiptarë: si Konica: jemi shumë të mirë dhe falim gjithçka, përveç suksesit të tjetrit. Kjo e bën suksesin akoma më të vështirë për t’u arritur, po ju e keni arritur.
Ju jeni frymëzim për mua personalisht, në punë që unë bëj frymëzohem nga njerëz që në kushte që nuk janë ideale për të bërë sukses, bëjnë sukses. Për mua ky është inspirim, kur e bëni ju atëherë unë patjetër që do e bëj.
Besojini symbyllur ëndrrës që shikoni me sy hapur. Nëse ju ëndërroni me sy hapur që doni të arrini në një majë ku çdokush tjetër mund t’ju thotë: ej. Mbyllni sytë dhe vetëm shikoni atë majën që ëndërroni me sy hapur dhe ndiqeni pa asnjë lëkundje.
Jo gjithmonë gjërat do shkojnë mirë, do keni momente të vështira, momente kur nuk do jeni fitues si sot, momente kur do t’ju rrëshqasë një fitore nga duart, ose ku nuk do jeni mjaftueshëm të mirë, momente kur jeta do ju sprovojë me një hall, por varet e gjitha nga ju dhe forca juaj që përballë mjegullës më të madhe dhe resë më të zezë, ju symbyllur të besoni që ajo majë që keni parë me sy hapur është e juaja dhe do e arrini.
Këtë mund t’ju them nga lartësia e eksperiencës time. Më kanë shkruar shumë fjalë këtu që janë se sa shumë ne kemi bërë për ju, por unë nuk do t’ju lodh me këto, ju them është nder që të jem këtu me ju dhe privilegj për këtë godinë që të ketë këtu njerëz të kapacitetit tuaj për të ëndërruar dhe të fuqisë suaj për të ndjekur ëndrrën.
Mos u dorëzoni kurrë, mos e tradhtoni kurrë ëndrrën që keni. Nëse dikush do jetë i bindur për të shkuar në hënë, duhet të jetë gati për t’u përballur me çdo sfidë që do i nxjerrë para koha, fati, Zoti. Nuk e di a e keni lexuar Odisenë ose filmin. Fiksimi që unë do arrij atje është gjithçka. Sa më të madh fiksimi, duhet të paguash shumë kosto që ta realizosh.
Top Channel