Kevin McCallister i kohës moderne/ 6-vjeçari në SHBA fluturon në qytetin e gabuar, situatë e ngjashme me filmin “I vetëm në shtëpi”

26/12/2023 19:38

Një ngjarje e ngjashme me atë të filmit “I vetëm në shtëpi 2” ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një 6-vjeçar ka fluturuar gabimisht në një vend tjetër.

I mituri fluturoi i vetëm në qytetin e gabuar të SHBA-së, pasi mori gabimisht një avion tjetër. Casper po udhëtonte nga Filadelfia për të takuar gjyshen e tij, Maria Ramos, në Fort Myers të Floridas.

Por ai përfundoi në Orlando, katër orë me makinë nga Fort Myers, pasi u fut në avionin e gabuar.

Në momentin që avioni është ulur dhe nipi i zonjës Ramos nuk është shfaqur në aeroport, ajo ka nisur të panikoset.

“Unë vrapova brenda aeroplanit te stjuardesa dhe e pyeta: Ku është nipi im? Ai ju dorëzua në Filadelfia?”, tha gjyshja e 6-vjeçarit për mediat.

“Jo, nuk kisha fëmijë me vete”, i është përgjigjur stjuardesa.

Për fat të mirë, Casper ka arritur të telefonojë gjyshen e tij menjëherë pasi zbarkoi në Orlando. Zonja Ramos më pas u nis me makinë nga Fort Myers për të marrë nipin e saj.

“Unë dua që ata të më telefonojnë dhe të më bëjnë të ditur se si nipi im përfundoi në Orlando. Si ndodhi kjo? A e zbritën nga avioni? Ai u hodh vetë në aeroplanin e gabuar?”, tha zonja Ramos.

Casper duhej të udhëtonte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Filadelfias në Aeroportin Ndërkombëtar të Floridës Jugperëndimore në Fort Myers, gjë që nuk u realizua.

Por kjo skenë është e ngjashme me filmin “I vetëm në shtëpi 2” (Home Alone 2), ku Kevin McCallister mori fluturimin e gabuar duke mbërritur në një destinacion ndryshe nga familja e tij, gjatë Krishtlindjeve.

Fatkeqësitë e tilla janë të rralla, por të miturit e pashoqëruar si dhe pasagjerë të tjerë kanë udhëtuar me fluturime të gabuara në të kaluarën.

Në vitin 2009, dy vajza të ndryshme të pashoqëruara u vendosën në fluturime të gabuara brenda SHBA-së. Linja ajrore fajësoi “komunikim e keq midis stafit”.

Dhe në vitin 2019, një djalë u fut në një fluturim të gabuar për në Gjermani, kur në të vërtetë ai supozohej të udhëtonte drejt Suedisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA