Emisioni Fiks Fare solli rastin e një qytetari banorë i rrugës ‘Myslym Shyri” në Tiranë i cili ankohej për zhurmat që i sillte një furrë buke poshtë banesës së tij.
Ai tregon se kjo furrë është pezulluar njëherë në vitin 2016, por para 6 muajsh ka rinisur punën dhe sjell të njëjtat shqetësime.
“Ai u pezullua në atë kohë sepse bënte zhurmë dhe nuk kishte dokumentet e duhura, madje në atë kohë ju la detyrë që të izolonte elektromotorët , të ngrinte tubat 2 metra mbi tarracë, të pajisej me leje mjedisore dhe të mos punonte pas orës 22, por këto nuk i ka bërë” tregon Edmon Leska.
Ndërkohë denoncuesi mban në dorë një tufë me shkresa, në të cilat tregohet se tani matja mund të bëhet nga ora 08:00 deri në orë 16: 30, pasi më vonë Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor nuk bën matje. Gjithashtu matjet janë kryer në orë 11:00 ku kanë dalë edhe brenda normës së lejuar. “Unë ankohem për natën, këta i bëjnë matjet ditën” tregon Edmondi.
Në një telefonatë me gazetarët e Fiksit pronari i furrës tha se meqë banori është ankuar te ju atëherë unë do punojë dhe natën.
Pyetjes së gazetarëve se çfarë masash mori pas detyrave të lëna nga pezullimi, ai nuk u përgjigj. “Përderisa më lejon shteti, çfarë pune keni ju” tha pronari.
Emisioni investigativ bazuar edhe në ndryshimet e fundit ligjore, ku tashmë kompetencën për të matur zhurmat e kanë Policia Bashkiake, Policia e Shtetit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, kërkoi në këtë të fundit një përgjigje për rastin, përgjigje të cilën nuk e mori.
Top Channel