Partizani ka harruar të fitojë në Kategorinë Superiore. Kampionët në fuqi regjistruan barazimin e pestë radhazi në kampionat, duke shpërdoruar një mundësi të artë për ta ngushtuar në vetëm një pikë diferencën me Egnatian kryesuese.
Të kuqtë u ndalën 1-1 në kryeqytet përballë Skënderbeut, që në dy ndeshjet e këtij sezoni u ka marrë katër pikë. Yuri Merlim i dha epërsinë skuadrës korçare në fundin e pjesës së parë, ndërsa goli i Partizanit u shënua nga Mba me kokë sapo nisi pjesa e dytë.
Kryeqytetasit ushtruan presion të vazhdueshëm gjatë fraksionit të dytë por nuk ia dolën të shënonin një tjetër gol që do t’u jepte fitoren.
Po barazim, por në shifrat 2-2, përfundoi takimi mes Teutës së fundit të tabelës dhe Egnatias kryesuese. Daci u dha epërsinë vendasve në minutën e 18-të, por Egnatia u kundërpërgjigj me Mohamed Lemine Dah dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt, raporton Supersport. E pabesueshmja ndodhi në limitet e kohës shtesë: Fili ktheu në gol një 11-metërsh në favori të Teutës në 90+6’ dhe sapo rinisi loja nga mesfusha, rrogozhinasit barazuan me Mustën.
Egnatia ruan distancën prej tri pikësh me Partizanin ndjekës, ndërsa Teuta mbetet e fundit me 15 pikë.
Top Channel