Nga BEN STEVENS – Javën e kaluar Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA) publikoi raportin e saj gjithëpërfshirës mbi tregun e paligjshëm të kanabisit në Bashkimin Evropian.
Raporti, i bazuar në të dhënat më të fundit nga EMCDDA dhe bashkëautori i tij Europol, nxjerr në pah shtrirjen e tregut të paligjshëm të kanabisit prej 11.4 miliardë eurosh, i cili mendohet se u ka shërbyer 22.6 milionë evropianëve gjatë vitit të kaluar.
Megjithëse madhësia e tregut “mbetet e qëndrueshme”, raporti ngre një sërë shqetësimesh kryesore, duke përfshirë rritjen e mprehtë të fuqisë së THC (është përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit), shfaqjen e shpejtë të kanabinoidëve gjysmë sintetikë si HHC (i nxjerrë nga bimët e kanabisit me THC të ulët, është kanabinoidi i parë gjysmë sintetik që raportohet në BE¬) dhe implikimet e habitshme mjedisore të kultivimit të paligjshëm të kanabisit në Evropë.
“Të gjitha këto zhvillime po ndodhin ndërkohë që ka një debat të vazhdueshëm politikash në Evropë dhe globalisht, i cili po ndikon në tregjet e ligjshme dhe të paligjshme duke çuar në sfida për zbatimin e ligjit dhe sistemet e drejtësisë penale”, thotë kreu i EMCDDA për tregjet, krimin dhe ofertën, Andrew Cunningham në webinarin e nisjes së raportit.
Spanja, Maroku dhe Ballkani Perëndimor
Me rreth 22.6 milionë përdorues vitin e kaluar, kanabisi është substanca e paligjshme më e konsumuar në Evropë me një farë diferencë, duke eklipsuar me gjashtëfish, kokainën, substancën tjetër të paligjshme më të përdorur.
Kanabisi bimor, ose lulja e kanabisit, përfaqëson mbi tre të katërtat (77%) të vlerës totale të tregut (të paktën 8.8 miliardë euro), ndërsa rrëshira e kanabisit përbën 23%, e vlerësuar të jetë rreth 362 tonë.
Sasia e kanabisit bimor të sekuestruar në BE, Norvegji dhe Turqi ka shënuar rekordin e të gjitha kohërave në vitin 2021, duke arritur në 288 tonë. Sipas të dhënave të disponueshme, pjesa dërrmuese e kanabisit të kapur në BE vjen nga një numër i vogël vendesh.
Njëra prej tyre është Spanja, e cila në vitin 2021 përfaqësonte rreth 51% të totalit të kanabisit bimor të kapur në BE me rreth 130 ton, ndërsa Italia (47 ton) dhe Franca (afërsisht 40 ton) së bashku përfaqësonin një të tretën e totalit.
Këto shifra u lanë në hije nga rekordi prej 850 tonësh rrëshirë kanabisi të konfiskuar në vitin 2021 në BE, Norvegji e Turqi dhe me Spanjën që përfaqëson përsëri shumicën e konfiskimeve, rreth 82%.
“Shumica e rrëshirës së kanabisit të disponueshëm në tregun evropian vjen nga Maroku dhe për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, Spanja është pika kryesore e hyrjes në BE,” tha analisti shkencor i EMCDDA, Robert Patrancus.
Megjithëse Maroku mbetet burimi kryesor i rrëshirës në Evropë, shumë vende të BE-së e kanë raportuar atë si një burim për kanabisin bimor në vitet e fundit, duke shënuar një diversifikim të produktit.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për kanabisin bimor, ndërsa raporti sugjeron se shumica dërrmuese kultivohet brenda BE-së, rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë një vend i rëndësishëm në furnizimin me kanabis bimor në BE.
Kjo ka filluar të ndryshojë, me përpjekjet në Shqipëri për të trajtuar këtë çështje që thuhet se çoi në një ulje të konfiskimeve që nga viti 2018-të.
“Si pjesë e këtyre ndryshimeve, për të qenë më afër tregut kryesor të konsumit, disa nga rrjetet kriminale të Ballkanit Perëndimor kanë përshtatur një model të ri biznesi, duke u përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit brenda BE-së. Veçanërisht, pasi Maqedonia e Veriut legalizoi prodhimin e kanabisit për përdorim mjekësor në vitin 2016-të, “sasi të mëdha” të produktit të rritur ligjërisht po devijohen në tregun e paligjshëm, një trend ky edhe në Shqipëri.
Ndërkohë që Amerika, Afrika Perëndimore dhe Azia Juglindore nuk konsiderohen më burime kryesore të importeve të paligjshme të kanabisit, ka pasur një rritje kohët e fundit në trafikun e kanabisit bimor nga Kanadaja dhe SHBA-të”, thotë analisti shkencor i EMCDDA, Robert Patrancus.
Kanabinoidë gjysmë sintetikë
Një çështje tjetër kyçe e ngritur në raport është rritja e gamës së produkteve të ndryshme të konsumit të kanabisit që shtrihet shumë përtej ‘modelit të vjetër” të tymosjes së barit. Modelet e reja janë me vape, ushqime, vajra dhe ekstrakte, që janë të disponueshme për konsumatorët në të gjithë Evropën.
Kjo është e vërtetë jo vetëm në shumëllojshmërinë e produkteve, por edhe në fuqinë, me të dhënat që sugjerojnë se përmbajtja e THC në kanabis është rritur me 57% në kanabisin bimor gjatë dekadës së fundit dhe gati 200% në rrëshirë, me gjasë për shkak të përmirësimeve në gjenetikë dhe teknikat e nxjerrjes. Kanabisi është bërë gjithashtu më i përballueshëm, krahasimisht me drogërat e tjera.
Një pjesë shqetësuese dhe me zhvillim të shpejtë të këtij diversifikimi të tregut është rritja e kanabinoideve gjysmë sintetike, të cilat EMCDDA sugjeron se janë “kryesisht të prodhuara nga CBD (vaji i kanabisit)”.
Substancat si HHC, Delta 8 dhe Delta 10 THC gjenden natyrshëm në bimën e kanabisit në sasi të vogla, shpjegoi EMCDDA, por prodhuesit tani zakonisht po konvertojnë nëpër laboratorë, vajin e kanabisit jo psikoaktive në substancë psikoaktive.
“Pse njerëzit kanë vendosur papritmas të prodhojnë këto ekstrakte të reja gjysmë sintetike nga vaji i kanabisit? Sepse kishte një mbiprodhim të këtij vaji në SHBA dhe Kanada. Njerëzit investuan para në prodhimin e vajit të kanabisit dhe më pas nuk mund ta shisnin atë në treg, kështu që ata e konvertuan atë në këto produkte të reja në mënyrë që të mos humbnin të gjithë investimin e tyre, madje as të bënin fitim”, thotë raporti.
Rreziku është se këto substanca janë të reja dhe ne nuk kemi ende të dhëna për të vërtetuar nëse ato janë të sigurta për t’u konsumuar.
Ndikimi mjedisor i prodhimit të paligjshëm të kanabisit
Ndërsa EMCDDA përcaktoi se të dhënat e saj rreth vendeve të prodhimit të kanabisit në BE janë ‘të paplota’, ai gjithsesi sugjeron se rreth 7,000 zona të kultivimit të paligjshëm u çmontuan në 2019 në 14 shtete anëtare. Në 2020 dhe 2021, këto shifra u rritën përkatësisht në 10,000 dhe 9,000.
Numri i bimëve të kanabisit të sekuestruara, një ‘tregues kyç’ për të përcaktuar shkallën e tregut të paligjshëm, arriti në 4.3 milionë në vitin 2021, ku rreth 3.2 milionë prej tyre vijnë nga Spanja, që përfaqëson një rritje gati dyfish nga viti 2020.
Veçanërisht, në Turqi, numri i bimëve të kanabisit të kapur në vitin 2021 ishte 18 herë më i lartë se në të gjithë BE-në së bashku, duke arritur në 76 milionë.
Shkalla e këtij tregu mendohet të ketë një ndikim të rëndësishëm mjedisor, duke pasur parasysh kërkesat e larta për ujë dhe energji për kultivimin e sasive të mëdha të kanabisit, ndërkohë që të dhënat e disponueshme po përmirësohen edhe për shkak të rritjes së numrit të tregjeve të rregulluara në të gjithë BE-në.
Kultivimi i brendshëm i 1 kg kanabis bimor kërkon rreth 6,000 kilovat orë energji elektrike, që është e barabartë me rreth 1,400 kg gjurmë karboni.
Për ta parë këtë në perspektivë, një ofrues i rrjetit të energjisë elektrike sugjeroi që energjia elektrike e vjedhur për prodhimin e kanabisit në vitin 2021 ishte rreth 1 miliard kilovat orë. Kjo është ekuivalenti i energjisë elektrike vjetore shtëpiake për një qytet me madhësinë e Roterdamit.
Një ndikim i dytë i madh mjedisor është përdorimi i ujit. Nëse rritet jashtë, një bimë kanabisi kërkon rreth 19-21 litra ujë çdo ditë, dhe cikli mesatar i rritjes është afërsisht 150 ditë.
EMCDDA ofroi një shembull të botës reale të një operacioni kultivimi të çmontuar në Spanjë që përmbante 400,000 bimë. Duke marrë parasysh këto shifra, një cikël korrjeje do të kërkonte rreth 1.8 miliardë litra ujë, ekuivalenti i konsumit ditor të ujit të një vendi me madhësinë e Letonisë.
Përkundër kësaj, gjurma e karbonit e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura vlerësohet të jetë rreth 60 deri në 100 herë më e madhe se kultivimi në natyrë. Për kanabisin e rritur në ambiente të brendshëm, kjo shkon në 4.6 km.
*Redaktor/ gazetar me përvojë në sektorin e biznesit dhe financës
Top Channel