Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve: Kush e paguan moszbatimin e Kushtetutës?

17/09/2026 16:08

Nga Dr. Klodian Rado

Për një qytetar që mezi përballon shpenzimet e familjes, debati publik për pagat e gjyqtarëve mund të duket i largët nga hallet e përditshme. Për atë që endet prej vitesh nëpër gjykata, mund të jetë edhe lajm i hidhur. Përse kaq shumë vëmendje për pagat e gjyqtarëve, kur vetë drejtësia vonon dhe ende ka kaq shumë probleme?
Përgjigjja nis nga një zgjedhje e posaçme e Kushtetutës. Neni 138 parashikon se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit nuk mund të ulen, përveç rasteve ekstreme që vetë Kushtetuta përcakton. Një garanci të tillë të shprehur për mosuljen e pagës, Kushtetuta nuk e parashikon për funksionarët e pushteteve të tjera, madje as për Presidentin e Republikës. Sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, kjo mbrojtje është njohur edhe për prokurorët, në kuadrin e statusit të përbashkët të magjistratëve. Arsyeja e kësaj mbrojtjeje lidhet me pavarësinë e drejtësisë: politika, pushteti ligjvënës apo ekzekutiv nuk mund dhe nuk duhet ta përdorë pagën si mjet presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, që shpesh kanë detyrën të japin drejtësi edhe kundër vetë pushtetit.
Kjo lidhje bëhet më e qartë kur mendojmë për një familje që kundërshton shpronësimin e shtëpisë, një sipërmarrës që kundërshton një gjobë tatimore apo një punonjës që pretendon se është larguar padrejtësisht nga një institucion publik. Në secilin rast, përballë qytetarit të thjeshtë qëndron gjithë shteti, me gjithë autoritetin dhe burimet e tij. Prandaj qytetari i thjeshtë ka nevojë për një gjyqtar që vendos vetëm mbi faktet dhe ligjin, pa frikën se një vendim kundër shtetit mund t’i kushtojë ekonomikisht. Në këtë kuptim, mbrojtja e pagës së gjyqtarit i shërben më së pari mbrojtjes së të drejtave të qytetarit.
Megjithatë, po ky qytetar ka të drejtë të kërkojë që paratë publike të përdoren me përgjegjësi dhe që një gjyqësor i paguar mirë të ofrojë drejtësi me profesionalizëm, integritet dhe brenda një kohe të arsyeshme. Garancia financiare bashkëjeton me detyrimin për llogaridhënie. Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve pa dyshim që meritojnë debat publik, dhe përcaktimi i tyre kërkon transparencë dhe logjikë të shëndoshë. Por kur për mosmarrëveshjen në fjalë është shprehur edhe vetë Gjykata Kushtetuese, debati duhet të zhvillohet duke respektuar vendimin e saj. Përndryshe, të mendosh të mos zbatosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të kesh filluar të mendosh që mos të kesh më shtet.
Si u krijua konflikti
Reforma në drejtësi e vitit 2016 i shoqëroi detyrimet dhe kufizimet e shtuara për gjyqtarët dhe prokurorët, të quajtur në ligj magjistratë, me një trajtim të ri financiar. Skema, e zbatuar nga viti 2019, e lidhi pagën referuese të tyre me pagën për funksion të një kategorie drejtuese të shërbimit civil. Kjo lidhje siguronte edhe përshtatjen në kohë: kur rritej paga e kategorisë referuese, ndryshonte edhe baza e pagës së magjistratit.
Lidhja me shërbimin civil kishte një rëndësi që shkonte përtej përllogaritjes fillestare. Ajo krijonte një mekanizëm për përshtatjen e pagës në kohë: kur rritej paga e kategorisë së zgjedhur si referencë, ndryshonte edhe baza e pagës së magjistratit. Në këtë mënyrë, trajtimi financiar i gjyqësorit lidhej me zhvillimet më të gjera të pagave në administratë.
Problemet lindën me mënyrën se si u përllogarit kjo bazë dhe me ndërhyrjen ligjore që e kufizoi atë. Me vendimin nr. 35/2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dispozitën që e lidhte pagën referuese vetëm me elementin “shtesa për pozicion” të pagës së nëpunësit civil. Megjithatë, Gjykata nuk e detyroi Kuvendin të ruante përgjithmonë të njëjtën formulë. Në paragrafin 104, ajo i njohu shprehimisht mundësinë për të zgjedhur një referencë tjetër, me kusht që paga dhe përfitimet të mos uleshin nën standardin e mbrojtur kushtetues, përveç rasteve të lejuara nga Kushtetuta.
Në vitin 2023, Kuvendi zgjodhi një referencë të re: 36% të pagës së Presidentit të Republikës. Rezultati ishte që paga referuese e magjistratëve kaloi nga 152,700 në 153,000 lekë, një ndryshim prej vetëm 300 lekësh. Ndërkohë, pagat e kategorisë së shërbimit civil me të cilën lidhej formula e mëparshme dhe paga e Presidentit u rritën ndjeshëm.
Pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet shifrës së pages së shkruar në listëpagesë dhe vlerës ekonomike të saj. Një pagë mund të mbetet e pandryshuar, madje të rritet pak, ndërsa me të mund të blihen më pak mallra e shërbime. Në këtë çështje, problemi përfshinte edhe shkëputjen nga mekanizmi që do të sillte përshtatjen e pagës kur rritej paga e referencës.
Me vendimin nr. 15/2026, shumica e Gjykatës Kushtetuese vlerësoi se ndryshimi kishte prodhuar një ngrirje të shënjestruar dhe një ulje të fshehtë të pagës, dhe si rrjedhim ishte antikushtetuese. Vendimi përcaktoi katër detyrime konkrete. Së pari, Kuvendi duhej të miratonte ndryshimet ligjore deri më 31 korrik 2026. Së dyti, efektet e shfuqizimit u shtynë deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve, por jo përtej kësaj date. Së treti, riparimi financiar duhej të përfshinte periudhën nga 1 prilli 2023 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Së katërti, në mungesë të ndryshimeve brenda afatit, prapambetjet do të llogariteshin sipas referencës në administratën e lartë publike, të analizuar në vendimin nr. 35/2022.
Pasojat e mosveprimit deri më 31 korrik 2026
Me gjithë afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, ai përfundoi pa ndryshimet ligjore. Përfundimi i afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese solli pasoja juridike të parashikuara në vetë vendimin. Paragrafi 110 i Vendimit përcakton se, nëse Kuvendi nuk kryente ndryshimet ligjore deri më 31 korrik 2026, pagesat e prapambetura do të llogariteshin sipas formulës së referimit në administratën e lartë publike, të analizuar në vendimin nr. 35/2022. Me kalimin e këtij afati pa miratimin e ndryshimeve, u plotësua kushti për zbatimin e asaj formule.
Me kalimin e afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë morën më pas vendime për përllogaritjen e pagave sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këto vendime nuk u zbatuan nga thesari i shtetit, dhe si rrjedhim, sipas vetë drejtuesve të shoqatave të magjistratëve, stafet e gjykatave kanë mbetur pa paguar. Këto ditë Kuvendi u vu në lëvizje dhe ka hartuar një projektligji të ri, i cili propozon kalimin nga 36% në 38% të pagës së Presidentit, me efekte financiare nga 1 prilli 2023. Diskutimi themelor tashmë është nëse ky projektligj është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, apo vetë Kushtetutën.
Më e ndërlikuar është pyetja se çfarë ndodh me pagën e magjistratëve nga 1 gushti e në vijim, që ka përfunduar afati i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Paragrafi 110 i vendimit e përmend shprehimisht formulën zëvendësuese për pagën, madje kërkon edhe kthimin e pagave të prapambetura që nga 1 prilli 2023. Për pagat e ardhshme, vendimi shprehet se, nëse ndryshimet ligjore nuk bëhen deri më 31 korrik 2026, këto pagesa llogariten me formulën që i referohet funksionarit të administratës së lartë publike, sipas referencës së analizuar në vendimin nr. 35/2022. Për pagesat e prapambetura, paragrafi 110 i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është i shprehur: efektet financiare të ligjit të ri duhet të llogariten nga 1 prilli 2023, me një skemë të arsyeshme përshtatjeje për periudhën nga kjo datë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri. Pra, Gjykata ka përcaktuar si periudhën që duhet të mbulojë riparimi financiar, ashtu edhe formulën që zbatohet për prapambetjet në rast të mosrespektimit të afatit.
Kalendari i shlyerjes të pagesave të prapambetura, është çështje që meriton vëmendje më vete. Megjithatë, në lidhje me këtë pikë, të dyja shoqatat e gjyqtarëve dhe ajo e prokurorëve, kanë shprehur mirëkuptim të plotë, duke pranuar edhe ndarjen e këtyre detyrimeve përgjatë 2 apo 3 viteve të ardhshme.
Projektligji i ri përballë standardit kushtetues
Në Kuvend është paraqitur një projektligj për rregullimin e kësaj çështjeje, i cili është kundërshtuar hapur nga gjyqtarët dhe prokurorët. Vlerësimi i tij duhet të nisë nga pyetja thelbësore: a i përmbush detyrimet që burojnë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese? Në versionin me tre nene që po analizojmë, projektligji ngre disa shqetësime juridike dhe financiare që duhet të sqarohen përpara miratimit.
Neni 1 e kalon koeficientin e pagës referuese nga 36% në 38% të pagës së Presidentit. Matematikisht, kjo është një ndryshim prej dy pikësh përqindjeje, ose rreth 5.56% kundrejt bazës së mëparshme, nëse paga e Presidentit mbetet e njëjtë dhe lihen mënjanë indeksimet. Por pyetja kushtetuese është se si u arrit te kjo masë dhe çfarë riparon ajo. A kompenson humbjen e konstatuar? Si lidhet me ndryshimet e pagave të referencës dhe me zhvillimet ekonomike? A respekton nivelin që mbrohet pas zbatimit të vendimit?
Koeficienti 38% nuk mund të shpallet antikushtetues vetëm nga shifra. Megjithatë, as një rritje numerike nuk mjafton për të provuar pajtueshmërinë me Kushtetutën. Nevojitet një përllogaritje e dokumentuar, që të tregojë pse kjo zgjidhje e përmbush detyrimin e riparimit. Një rregullim më i qëndrueshëm do të përcaktonte bazën e re dhe mënyrën e kalimit tek ajo, duke garantuar shprehimisht se ndryshimi nuk cenon nivelin e pagës dhe përfitimet e mbrojtura kushtetuese. Një klauzolë e tillë duhet të shoqërohet me llogaritje konkrete; përndryshe, mund të sillte efekte negative në të ardhurat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Një problem tjetër i projektligjit, është kufiri maksimal që projektligji vendos për indeksimin e pagave, pra përshtatjen e tyre me rritjen e çmimeve. Sipas projektligjit, indeksimi nuk mund të kalojë një pikë përqindjeje mbi inflacionin e targetuar nga Banka e Shqipërisë. Por niveli zyrtar i Bankës së Shqipërisë, nuk përputhet domosdoshmërisht me rritjen reale të çmimeve. Nëse çmimet rriten më shumë se ky kufi, indeksimi mund të mos mjaftojë për të ruajtur fuqinë blerëse të pagës së magjistratit, duke rezultuar në ulje de facto të pagës.
Situata bëhet edhe më problematike, nëse indeksimi kryhet pas dy vjetësh, ashtu siç sanksionon projektligji. Vetëm si ilustrim: nëse çmimet rriten me 3% në secilin prej dy viteve, rritja e tyre e grumbulluar është rreth 6%. Një indeksim i vetëm prej 4% i vendosur nga Banka e Shqipërisë, nuk do ta kompensonte të gjithë humbjen. Ky është një shembull që tregon përse ligji duhet të përcaktojë qartë periudhën dhe mënyrën e llogaritjes. Formulimi i propozuar krijon rrezikun që vetë tavani ligjor të pengojë ruajtjen e fuqisë blerëse, pra me fjalë të tjera, passjell uljen de facto të fuqisë blerëse të pagës, e do të binte ndesh me Kushtetutën dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Dispozita mund të ndërtohej ndryshe: indeksimi të lidhej me ndryshimin e realizuar të indeksit të çmimeve të konsumit, të publikuar nga INSTAT-i, për një periudhë të përcaktuar qartë. Ligji duhet të caktonte datën e zbatimit, mënyrën e trajtimit të indeksimeve të mëparshme dhe pasojat e vonesës në nxjerrjen e aktit zbatues. Një indeksim vjetor do ta zvogëlonte vonesën e kompensimit.
Problematik mund të jetë edhe fakti që projektligji vazhdon ta lidhë pagën e magjistratëve me pagën e Presidentit. Rritja e koeficientit nuk e zgjidh vetvetiu këtë problem: nëse paga e Presidentit mbetet e pandryshuar për vite, edhe paga e magjistratëve rrezikon të mbetet e ngrirë, në mungesë të mekanizmave të tjerë efektivë të përshtatjes. Në paragrafin 108, Gjykata evidenton pikërisht kufizimet e kësaj reference, duke vënë në dukje se paga e Presidentit ndryshon rrallë dhe shoqërohet me përfitime të tjera që magjistratët nuk i gëzojnë në të njëjtën mënyrë. Paragrafi 109 lë hapësirë për zgjidhje të ndryshme, përfshirë marrjen parasysh të ndryshimit të pagës së Presidentit, por kjo nuk përbën miratim pa kushte të kësaj reference. Nëse ligjvënësi e ruan atë, duhet të tregojë konkretisht si do të parandalohet përsëritja e ngrirjes së pagave.
Ligji duhet të sqarojë edhe si do të ndërthuren indeksimet e kryera me një rritje të mëvonshme të pagës së Presidentit, që ato as të humbasin, as të llogariten dy herë për të njëjtin kompensim. Përveç ruajtjes së fuqisë blerëse, projektligji duhet të parashikojë rishikimin periodik të nivelit të pagës sipas kushteve ekonomike dhe përgjegjësive të detyrës.
Një shqetësim tjetër thelbësor lind nga neni 3, i cili e shtrin formulën e re financiarisht nga 1 prilli 2023. Prapaveprimi, në vetvete, nuk përbën problemin: vetë Gjykata kërkoi riparim nga kjo datë. Problemi është nëse formula e miratuar pas afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e zvogëlon detyrimin që rezulton nga mekanizmi i aktivizuar për shkak të mosveprimit të Kuvendit.
Një zvogëlim i tillë do të ngrinte njëkohësisht çështjen e respektimit të vendimit kushtetues sipas nenit 132, të mbrojtjes së pagës sipas nenit 138 dhe të sigurisë juridike. Ligjvënësi nuk mund të shmangë pasojën e vonesës vetëm duke i dhënë ligjit të ri një datë më të hershme efektesh. Një formulim më i sigurt do të ndante shprehimisht përllogaritjen e prapambetjeve sipas vendimit kushtetues nga rregullimi për periudhën e ardhshme. Ai duhet të ruante detyrimet e lindura, të zbriste pagesat e kryera tashmë dhe të përcaktonte mënyrën e shlyerjes brenda kufijve ligjorë. Kjo përputhet me detyrimin për ta zbatuar vendimin në tërësinë e tij, të ritheksuar edhe në deklaratën zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Së fundi, neni 2 synon të kufizojë përhapjen e kostos te funksionarët dhe nëpunësit e tjerë, pagat e të cilëve lidhen me pagën e gjyqtarit ose prokurorit. Për këto kategori, ai ruan bazën e mëparshme, ndërsa përfshin në ndryshim anëtarët dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Kontrolli i efekteve buxhetore është një synim i kuptueshëm. Nuk mund të supozohet se çdo funksionar që ka një lidhje ligjore page me gjyqtarin gëzon automatikisht të njëjtën mbrojtje kushtetuese.
Megjithatë, përjashtimi i përgjithshëm i të gjitha kategorive të tjera kërkon shqyrtim të veçantë: cilat janë ato, çfarë garancish kanë dhe nëse dispozita prek të drejta të lindura apo vetëm mënyrën e përllogaritjes për të ardhmen. Edhe referimi te baza “përpara hyrjes në fuqi” të vendimit kërkon saktësim, sepse vendimi dallon hyrjen e vet në fuqi nga fillimi i efekteve të shfuqizimit. Një dispozitë më e qartë do të identifikonte kategoritë dhe rregullat përkatëse, datën e zbatimit dhe trajtimin kalimtar, duke arsyetuar çdo dallim.
Argumentet kryesore kundër rritjes së pagave
Paratë publike janë natyrisht të kufizuara, dhe Kuvendi ka përgjegjësi për shpërndarjen e tyre. Argumenti që prek më drejtpërdrejt qytetarin është ai i kostos shumë të lartë që i krijon buxhetit të shtetit rritja e pagave të magjistratëve. Në reagimin e 12 shtatorit, Kryeministri Rama pretendoi se zbatimi i kërkesave, përfshirë prapambetjet nga prilli 2023, do të sillte detyrime prej rreth 130.5 milionë eurosh. Një ditë më pas, ai publikoi krahasime me pagat e gjyqtarëve në vende të tjera dhe me pagat e administratës shqiptare. Këto janë pretendime që meritojnë verifikim publik, dhe për ta kuptuar faturën, publikut duhet t’i tregohet si është llogaritur: për cilën periudhë, për sa përfitues dhe për cilat kategori; nëse përfshihen kontributet e punëdhënësit dhe shtesat e veçanta; sa përfaqëson detyrime të grumbulluara dhe sa është kostoja shtesë për çdo vit në vazhdim. Një detyrim i mbledhur gjatë disa viteve nuk mund të paraqitet sikur përsëritet i plotë çdo vit.
Po aq kujdes kërkojnë krahasimet ndërkombëtare. Paga bruto duhet krahasuar me pagën bruto, niveli fillestar me nivelin fillestar dhe funksionet e ngjashme me njëra-tjetrën. Duhet të dihet nëse përfshihen shtesat, si është llogaritur mesatarja dhe sa ndryshon fuqia blerëse. Pa këto sqarime, shifrat mund të krijojnë një përshtypje të fortë, por japin pak ndihmë për një gjykim të drejtë.
Natyrisht që shqetësimi për drejtësinë sociale midis kategorive të ndryshme të shoqërisë apo punonjësve publike, mbetet i ligjshëm. Qytetari ka të drejtë të pyesë nëse shpërndarja e burimeve është e arsyeshme dhe nëse drejtësia që merr e justifikon investimin publik. Edhe Gjykata Kushtetuese e merr parasysh aftësinë financiare të shtetit në vendimin e saj.
Kundërargumenti i dytë është se përcaktimi i pagave u takon qeverisë dhe Kuvendit. Në reagimin e 14 shtatorit, Kryeministri Rama mbrojti këtë rol dhe kundërshtoi që Kuvendit t’i diktohet kur dhe si duhet të veprojë. Edhe Gjykata Kushtetuese e pranon se Kuvendi ka të drejtë të zgjedhë formulën dhe mënyrën e përllogaritjes së pagave. Por kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda parimeve të Kushtetutës.
Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar çfarë duhej korrigjuar dhe deri kur duhej të miratoheshin ndryshimet. Kuvendi mund të zgjidhte mënyrën e zbatimit, por nuk mund ta trajtonte afatin si një rekomandim që mund të shpërfillej. Përndryshe, çdo shumicë parlamentare do të mund t’i shmangej një vendimi kushtetues thjesht duke mos vepruar.

Kundërargumenti i tretë është se institucionet e drejtësisë po vendosin vetë sa duhet të paguhen gjyqtarët. Kritika drejtohet ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ): a kishte të drejtë ta përdorte edhe për pagat nga 1 gushti formulën që vendimi kushtetues përmend shprehimisht për pagesat e prapambetura? KLGJ-ja ka përgjegjësi të administrojë gjyqësorin dhe të zbatojë vendimet kushtetuese që lidhen me detyrat e saj, por duhet shqyrtuar nëse ajo thjesht përllogariti pagat sipas detyrimeve ekzistuese apo bëri zgjedhje të reja që i takojnë Kuvendit.
Konsultimi dhe përgjegjësia e institucioneve
Mënyra se si miratohet një ligj ka rëndësi për cilësinë dhe besueshmërinë e tij. Kjo bëhet veçanërisht e ndjeshme kur ligji prek garancitë e një pushteti tjetër, siç është pushteti gjyqësor, dhe kur synohet të zbatohet një vendim kushtetues. Në këto raste, konsultimi duhet të krijojë mundësinë që problemet të dallohen dhe të korrigjohen përpara votimit.
Përfaqësuesit e magjistratëve, dhe grupet e tjera të interesit duhet të kenë kohë të arsyeshme për të lexuar tekstin e projektligjit, për të kuptuar efektet e tij dhe për të përgatitur qëndrimin e tyre. Nëse gjatë shqyrtimit paraqiten amendamente që ndryshojnë thelbin e projektligjit, edhe ato duhet të vihen në dispozicion në kohë. Opinioni financiar duhet të tregojë kostot dhe mënyrën e përllogaritjes së tyre.
Konsultimi, natyrisht që nuk kërkon që Kuvendi të pranojë çdo kërkesë të gjyqësorit. Por nga ana tjetër, ai kërkon që debati konstruktiv midis palëve dhe grupeve të interesit të ketë mundësi reale të ndikojë në vendimmarrje. Në vendimin nr. 15/2026, Gjykata Kushtetuese e përfshin konsultimin efektiv ndër kërkesat që duhet të udhëheqin procesin e rregullimit të pagave të magjistratëve.
Edhe gjuha e përdorur ka rëndësi. Institucionet mund t’i mbrojnë me vendosmëri qëndrimet apo kompetencat e tyre, duke ruajtur vetëpërmbajtjen dhe respektin për rolin kushtetues të njëri-tjetrit. Akuzat personale, linçimet publike, apo paraqitja e çdo kundërshtimi si sulm ndaj njërit institucion apo tjetrit, e vështirësojnë zgjidhjen. Qytetari ka nevojë të kuptojë arsyet e vërteta të përplasjes dhe opsionet e mundshme për ta zgjidhur.
Mbi të gjitha, duhet mbrojtur mundësia e qytetarëve për të marrë drejtësi. Çdo masë kufizimi ose ndërprerjeje të veprimtarisë së pushtetit gjyqësor, kërkon vlerësim të veçantë. Duhet pasur parasysh që shumë nga çështjet që janë në proces, janë çështje urgjente, me afate procedurale apo prekin dhe liri themelore. Një mosmarrëveshje për pagat apo garancitë e gjyqtarëve apo prokurorëve, duhet të trajtohet me kujdesin maksimal që ata të vazhdojnë t’i shërbejnë qytetarit që pret vendimin prej tyre.
Modelet e mundshme të zgjidhjes
Zgjidhja e këtij konflikti kërkon një mekanizëm që të funksionojë edhe pasi debati i sotëm të jetë mbyllur. Gjyqtarët duhet të dinë si përcaktohet dhe si përshtatet paga e tyre, qeveria duhet të mund të planifikojë shpenzimet, dhe qytetari duhet të kuptojë përse paguhet një shumë e caktuar për të mbajtur sistemin e drejtësisë funksional. Ka disa modele që mund t’u shërbejnë këtyre qëllimeve, me kusht që zgjedhja të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe detyrimet e krijuara.
Modeli i parë është lidhja me një kategori të përcaktuar të shërbimit civil. Kjo do të ruante vazhdimësinë me zgjidhjen fillestare të reformës: kur ndryshon paga e kategorisë referuese, përshtatet edhe baza e pagës së magjistratit. Përparësia e këtij modeli është që edhe gjyqësori ndjek zhvillimet e një pjese më të gjerë të administratës, duke zvogëluar nevojën për ndërhyrje të veçanta politike për pagat e tij.
Përvoja ka treguar, megjithatë, se kjo lidhje duhet të përcaktohet me saktësi. Ligji duhet të identifikojë kategorinë referuese dhe elementet e pagës që përfshihen në përllogaritje, si dhe të sqarojë çfarë ndodh nëse ndryshon emërtimi ose struktura e saj. Përndryshe, edhe një ndryshim teknik në tabelën e pagave mund të rihapë të njëjtin konflikt. Modeli duhet të sigurojë mbrojtje ndaj ngrirjes së zgjatur dhe uljeve që nuk përmbushin kushtet kushtetuese, pa e shtrirë automatikisht te administrata publike garancinë e posaçme të magjistratëve që Kushtetuta iu a njeh vetëm atyre dhe jo funksionarëve të tjerë publikë. Kjo do të thotë se një ulje e ligjshme e pagës së kategorisë referuese nuk duhet as të pengohet vetëm për shkak të kësaj lidhjeje, as të transmetohet mekanikisht te paga e magjistratit. Ligji duhet të dallojë qartë pasojat për secilën kategori, në përputhje me mbrojtjen juridike që ajo gëzon.
Modeli i dytë është ruajtja e referencës te paga e Presidentit, e shoqëruar me garanci shtesë. Përllogaritja përmes një koeficienti është e thjeshtë, por thjeshtësia administrative nuk e zgjidh problemin e ngrirjes. Nëse paga e Presidentit mbetet e pandryshuar për një periudhë të gjatë, paga e magjistratit duhet të ketë një mekanizëm të vetin përshtatjeje. Po kështu, një ulje e pagës së Presidentit nuk duhet të transmetohet automatikisht te magjistratët, pa u plotësuar kushtet që Kushtetuta kërkon për uljen e pagës së tyre.
Ky model do të kërkonte një koeficient të mbështetur në analizë financiare, indeksim efektiv dhe rishikim periodik të përshtatshmërisë së pagës. Duhet të përcaktohej qartë edhe marrëdhënia ndërmjet indeksimeve të kryera dhe ndryshimeve të mëvonshme të pagës së Presidentit. Duke pasur parasysh vërejtjet e Gjykatës në paragrafët 108–109, ruajtja e kësaj reference mbart një barrë të veçantë arsyetimi: ligjvënësi duhet të tregojë konkretisht si i kapërcen modeli i rishikuar mangësitë e konstatuara.
Një model i tretë do të ishte përcaktimi me ligj i një baze të posaçme për pagat gjyqësore, pra krijimi i një skeme të vecantë vetëm për magjistratët. Në këtë rast, paga referuese nuk do të varej nga paga e një funksionari tjetër. Ligji do të caktonte nivelin fillestar, mënyrën e indeksimit dhe intervalin e rishikimit të saj në raport me zhvillimet ekonomike, përgjegjësitë e detyrës dhe gjendjen e financave publike.
Përparësia e këtij modeli është, që do të krijonte një rregullim më të drejtpërdrejtë dhe të parashikueshëm. Por niveli fillestar duhet të përcaktohet duke respektuar standardin e mbrojtur dhe detyrimet ekzistuese. Po kështu, shuma e vendosur në ligj duhet të shoqërohet që në fillim me mekanizma përshtatjeje. Përndryshe, pas disa vjetësh do të përballeshim sërish me një pagë të ngrirë.
Ky model i tretë mund të realizohet, nëse rregullohet në mënyrë sa më të drejtë mekanizmi se si përcaktohen pagat e gjyqësorit. Disa shtete, ndër to Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Zelanda e Re, kanë përfshirë krijimin e komisioneve të pavarura në këtë proces. Kompetencat e tyre ndryshojnë: disa japin rekomandime, ndërsa të tjera marrin vendime me fuqi detyruese. Përvoja e këtyre vendeve demokratike është veçanërisht e dobishme, sepse këto komisione të posaçme, shqyrtojnë përshtatshmërinë e pagave dhe përfitimeve të gjyqtarëve në mënyrë periodike (p.sh., çdo tre-katër vjet), duke marrë parasysh kushtet ekonomike, koston e jetesës, gjendjen financiare të shtetit, pavarësinë gjyqësore dhe nevojën për të tërhequr kandidatë të aftë.
Në kushtet kur debati për pagat e magjistratëve po bëhet gjithmonë dhe më prezent në Shqipëri, modeli i tretë me një mekanizëm të tillë ligjor mund të ishte zgjidhja më e mire. Ky komision ad hoc, përveç përfaqësuesve nga pushteti gjyqësor dhe pushteti ligjvënës apo ekzekutiv, do të ndërtohej me përbërje të larmishme dhe garanci të qarta pavarësie, duke përfshirë përfaqësues nga avokatia, bota akademike, shoqëria civile, apo grupe të tjera interesi. Anëtarët duhet të përzgjidheshin për aftësinë profesionale, integritetin dhe mungesën e konflikteve të interesit, me detyrimin për t’i shërbyer interesit publik.
Në vlerësimin tim, një organ i pavarur këshillimor, me mandat të qartë dhe shqyrtime periodike, do ta bënte përcaktimin e pagave më të drejtë, më të arsyeshëm, më transparent dhe më të besueshëm për publikun. Përbërja e tij duhet të ndërthurë ekspertizën juridike, ekonomike dhe financiare, ndërsa institucionet dhe grupet e interesit duhet të kenë mundësi të paraqesin të dhëna e argumente në dëgjesa publike.
Cilado alternativë të zgjidhet, pikënisja mbetet respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përmbushja e detyrimeve që burojnë prej tyre. Një mekanizëm i pavarur për vlerësimin e pagave mund të parandalojë konflikte të ardhshme, por krijimi i tij nuk duhet të vonojë zgjidhjen e konfliktit të sotëm. Kuvendi duhet të përcaktojë formulën brenda kufijve kushtetues, qeveria të sigurojë financimin për zbatimin e saj dhe gjyqësori të tregojë transparencë e të japë llogari për cilësinë e drejtësisë. Një zgjidhje e qëndrueshme kërkon që secili institucion të përmbushë përgjegjësinë e vet.
Në fund, edhe ky debat duhet të kthehet te qytetari. Ai ka të drejtë të kërkojë përdorim të përgjegjshëm të parave publike, gjyqtarë të pavarur dhe drejtësi pa vonesa të pajustifikuara. Besimi tek institucionet ndërtohet kur vetë institucionet janë të parat që zbatojnë vendimet gjyqësore. Shteti që kërkon nga qytetari respektimin e ligjit duhet ta dëshmojë vetë këtë respekt, edhe kur zbatimi i një vendimi ka kosto. Mos të harrojmë, qytetari që nesër fiton një gjyq kundër shtetit duhet të jetë i sigurt se e drejta e tij nuk do të mbetet në letër.

Top Channel